Murati: Asociacioni do të ishte kancer për Kosovën, kjo është vula e zgjidhjes së problemit

Aktuale

Murati: Asociacioni do të ishte kancer për Kosovën, kjo është vula e zgjidhjes së problemit

Më: 23 nëntor 2021 Në ora: 00:56
Valon Murati

Kryetari i Lëvizja për Bashkim, Valon Murati, ka thënë se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe do ta bënte shtetin e Kosovës jofunksional.

Sipas Muratit, asociacioni do të ishte një lloj kanceri që më pas politika kosovare do të lutej që të ndodhte ri-përcaktimi i kufijve.

“Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe qoftë me ose pa kompetenca shtetin e Kosovës e bën jofunksional. Ky do të jetë një lloj kanceri që më pas ne do të lutemi të ndodh ri-përcaktimi i kufijve si opsion dhe mund të vijmë në një moment kur Serbia e betonizon kufirin tek lumi Ibër dhe mund të vijë puna që të marrim shumë pak nga Kosova Lindore”, është shprehur Murati.

Tutje, ai thotë se sipas kësaj partie, ri-përcaktimi i kufijve me Serbinë do të ishte vula e zgjidhjes së problemit përfundimtar, teksa thotë se presioni për implementimin e asociacionit do të çoj tek zgjidhja e ri-përcaktimit të kufijve.

“Ne e kemi një presion si Kosovë për ta implementuar asociacion sepse është një marrëveshje e nënshkruar. Qeveria e Kosovës do të ketë presion për ta zbatuar asociacionin dhe mendoj se ky projekt do të çoj tek zgjidhja e ri-përcaktimit të kufijve sepse asociacioni do të dështoj në implementim ose implementimi i tij do të jetë i dëmshëm saqë ne duhet t’i kthehemi prapë ri-përcaktimit të kufijve si zgjidhje përfundimtare”, është shprehur Murati.

Por, Murati thotë se edhe në rast se Kosova e implementon Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, Serbia nuk do ta njoh Kosovën si shtet të pavarur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat