Aksioni “Subvencionet” vuri në pranga 78 persona

Aktuale

Aksioni “Subvencionet” vuri në pranga 78 persona

Më: 3 dhjetor 2021 Në ora: 18:15
Policia e Kosovës

Aksioni i Policisë së Kosovës  që njihet me emrin “Subvencionet 2021” e që filloi që në shkurt të këtij viti, për të vazhduar më pas me një aksion tjetër në qershor dhe një tjetër sot, ka vënë nën pranga deri më tani 78 persona që dyshohet se kanë kryer veprën penale keqpërdorim me subvencione.

Këto aksione të policisë u zhvilluan në  komunën e Prishtinës, Gjilanit, Podujevës, Lipjanit, Istogut, Lipjanit, Ferizajt, Pejës, Vushtrri dhe Kllokotit.

Aksioni i parë i Policisë – shkurt – mars 2021

Më 24 shkurt të vitit 2021, Policia e Kosovës, Drejtoria për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, realizoi bastisje në Ministrinë e Bujqësisë ku në kuadër të saj është Agjencioni i Pavarur për Zhvillim të Bujqësisë.

Bastisjet u kryen edhe në Komunën e Istogut, Gjilanit, Podujevës dhe Lipjanit, ku në prangat e Policisë përfunduan 12 persona nën dyshimin për keqpërdorime të fondeve dhe subvencioneve si dhe u sekuestruan 400 mijë euro.

Prokuroria Themelore e Prishtinës fillimisht kërkoi paraburgim për 11 të arrestuarit me inicialet S.Sh., L.S., S.S., H.M., B.N., K.Z., A.U., D.A., P.K., Sh.K., K.B-S., ndërsa personi me inicialet A.N., ishte shoqëruar vetëm në stacionin policor dhe i njëjti më pas është liruar në procedurë të rregullt. Pas kësaj kërkese Gjykata Themelore kishte caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj 9 të arrestuarve, ndërkaq dy të tjerëve u caktoi masën e arrestit shtëpiak. Masë kjo që nga gjykata ishte vazhduar edhe për dy muaj të tjerë.

Nga bastisja e realizuar më 24 shkurt 2021 u konfiskuan: rreth 433,160.00 (katërqind e tridhjetë e tre mijë e njëqind e gjashtëdhjetë) euro, 600 (gjashtëqind) dollar, 200 (dyqind) franga, 275 (dyqind e shtatëdhjetë e pesë) lira turke, 15 (pesëmbëdhjetë) telefona, 8 (tetë) vetura, 1 (një) kompjuter, 5 (pesë) armë, 1 (një) USB dhe 1 (një) vulë.

Një ditë më pas, më 25 shkurt 2021, Policia e Kosovës arrestoi edhe nëntë persona në kuadër të operacionit “Subvencioni 2021”, të dyshuar të cilët dyshohet se përmes dhënies së ryshfetit kanë arritur që të marrin subvencione nga Ministria e Bujqësisë.

Këta persona u arrestuan në lokacione të ndryshme përfshirë komunat në vijim: tre (3) persona nga Komuna e Istogut, dy (2) persona nga Komuna e Lipjanit, një (1) person nga Komuna e Ferizajt, një (1) person nga Komuna e Prishtinës dhe dy (2) persona nga Komuna e Pejës.

Këta të fundit dyshohet se përmes dhënies së ryshfetit kanë arritur që të marrin subvencione nga Ministria e Bujqësisë.

Aksioni Subvencionet kishte vazhduar edhe më 3 mars të vitit 2021 ku Policia e Kosovës kishte arrestuar zyrtarin e Drejtorisë së Bujqësisë në Pejë me inicialet A.B. I njëjti dyshohej se ka kryer veprën penale marrje ryshfeti.

Ndërkohë, prokuroria njoftonte se ai dyshohet se ka marrë ryshfet në vlerë prej 48 mijë eurove dhe i ka ndarë në mes të të pandehurve B.N., dhe S.Sh.

Policia e Kosovës në vazhdën e aksionit “Subvencioni 2021”, më datë 12 mars të këtij viti  ka arrestuar edhe dy persona në fshatin Ponesh në Gjilan. Njëri nga të arrestuari ishte Drejtorinë e Bujqësisë në Gjilan, kurse tjetri një fermer.

Ata dyshoheshin se në bashkëveprim me njëri tjetrin kishin vendosur në aplikacion për subvencione parcelën e mbjellur me grurë pa dëshirën e viktimës mashkull kosovar.

Një ditë më pas Prokuroria Themelore në Gjilan kishte caktuar masën e paraburgimit ndaj këtyre dy të dyshuarve me inicialet Z.P. dhe B.T., për shkak se dyshoheshin se kanë kryer veprat penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ dhe ‘’Mashtrimi me subvencione’’.

Aksioni i dytë i Policisë – qershor 2021

Më 30 qershor të vitit 2021 Policia e Kosovës kishte vazhduar aksionin “Subvencionet 2021” në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë dhe zyrave të kësaj agjencie në disa rajone të vendit.

Ky aksion i cili u zhvillua në Prishtinë, Podujevë, Pejë, Gjilan dhe Istog, rezultoi me arrestimin e 21 personave, 14 prej të cilëve mbanin pozita zyrtare. Ata dyshoheshin se kanë kryer veprat penale : “Marrje ryshfeti”, “Dhënie ryshfeti”, “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, “Ushtrim i ndikimit”, “Legalizimi i përmbajtjes së rreme” dhe “Mashtrim me subvencione”.

Në media gjatë asaj kohe u raportua se personat e arrestuar ishin: Bejtullah Pira, Granit Abdyli, Valon Hoti, Enver Ibishi, Blerim Mulliqi, Kujtim Zariqi, Arsim Çela, Habibe Dauti, Musa Nivokazi, Lulzim Hajdaraj, Flamur Zeqiri, Blerim Asllani, Afrim Abazaj, Halil Krasniqi, Daut Kabashi, Bekim Shala, Salih Kelmendi, Gzim Morina, Kastriot Berisha, Fuat Morina dhe Kumrije Maxharraj.

Ndaj të njëjtëve Gjykata Themelore në Prishtinë kishte caktuar masën e Paraburgimit prej 30 ditësh nën dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprat penale “marrja e ryshfetit”, “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “dhënia e ryshfetit”, mashtrim me subvencione”, “falsifikim i dokumenteve”, “legalizim i përmbajtjes së rreme” dhe veprën penale “ushtrimi i ndikimit”.

Disa nga të arrestuarit e dy aksioneve të para ende gjenden në paraburgim, kurse disa të tjerë kanë të vendosur masën e arrestit shtëpiak.

Aksioni i tretë i Policisë – dhjetor 2021

Me urdhër të Prokurorisë Speciale, Policia e Kosovës ka arrestuar 31 persona të dyshuar për dallavere me subvencionet.

Aksioni i Policisë së Kosovës është zhvilluar në tetë komuna të vendit, Pejë, Istog, Ferizaj, Lipjan, Prishtinë, Kllokot, Vushtrri dhe Podujevë.

Nga 31 personat e arrestuar 12 prej tyre janë zyrtarë me pozita të ndryshme nga komunat dhe zyrat rajonale të Agjencionit Zhvillimor të Bujqësisë dhe zyrës rajonale të APK.

“Prokuroria Speciale njofton se nga ky aksion janë ndaluar dhe intervistuar gjithsejtë tridhjetenjë (31) persona, prej tyre dymbëdhjetë (12) zyrtarë me pozita të ndryshme nga komunat dhe zyrat rajonale të Agjencionit Zhvillimor të Bujqësisë dhe zyrës rajonale të APK. Përderisa, nëntëmbëdhjetë (19) persona janë intervistuar në cilësinë e përfituesve të subvencioneve. Përfituesit e subvencioneve janë nga komuna të ndryshme të Kosovës, të cilët dyshohet se kanë mashtruar me subvencione”, njofton Prokuroria.

Kurse, 19 persona tjerë janë qytetarë, të cilët janë intervistuar në cilësinë e përfituesve të subvencioneve.

“Përderisa, nëntëmbëdhjetë (19) persona janë intervistuar në cilësinë e përfituesve të subvencioneve. Përfituesit e subvencioneve janë nga komuna të ndryshme të Kosovës, të cilët dyshohet se kanë mashtruar me subvencione”, shkruhet në njoftim.

Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se do të kërkojë caktimin e masës së paraburgimit për personat të cilët janë ndaluar nga aksioni i sotëm.

“Personat e ndaluar dyshohet se kanë kryer veprat penale “Marrja e ryshfetit”, “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Dhënie e ryshfetit”, “Mashtrim me Subvencione’’, si dhe “Falsifikim i dokumenteve”. Gjithashtu, gjatë afateve kohore ligjore Prokuroria Speciale do të bëjë kërkesë për caktim e masës së paraburgimit të personave të cilët janë ndaluar nga aksioni i sotshëm”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Kujtojmë se Sinjali ka shkruar se katër zyrtarët e drejtorisë së Bujqësisë, që u arrestuan në Komunën e Istogut janë Valbona Kaliqani, Adrian Ramqaj, Jeton Sylaj dhe Granit Lubeniqi.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat