​Komisioni shqyrton buxhetin në lexim të dytë, Muratit i kërkohet rritja e buxhetit për RTK-në

Aktuale

​Komisioni shqyrton buxhetin në lexim të dytë, Muratit i kërkohet rritja e buxhetit për RTK-në

Më: 3 dhjetor 2021 Në ora: 18:34
Pamje nga mbledhja e Komisionit

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere me shumicë votash ka miratuar pjesën tekstuale të Projektligjit mbi ndarjet buxhetore për vitin 2022 i planifikuar 2 miliardë e 748 milionë euro.

Megjithatë pati kritika nga nënkryetari i Komisionit, Mërgim Lushtaku për uljen e buxhetit për transmetuesin publik, RTK-në.

Deputeti nga radhët e PDK-së, Lushtaku ka kërkuar që buxheti për mediumin publik të rritet në 0.7 përqind në kuadër të buxhetit të Kosovës, siç tha ai për ta ruajtur transmetuesin publik.

Lushtaku: Kërkojmë të rritet buxheti 0.7 përqind për RTK-në

“Është Radio Televizioni i Kosovës që realisht ne si Komision për Buxhet, si Kuvend e kemi përsipër që të rregullojmë çështjen e financimit të RTK-së. E dimë që në Ligjin për RTK është 0.7 përqind e financimit të RTK-së nga Buxheti i Kosovës, këtu me këtë projektligj nuk është as 0.5 përqind. Unë kërkoj që kjo shumë të rritet në bazë të rritjes buxhetore dhe në bazë të Ligjit të RTK-së që është 0.7 përqind e gjithë buxhetit të Kosovës, që i bie 16 milionë e më shumë në mbështetje të RTK-së. Pavarësisht gabimit të qëllimshëm ose jo të qeverisë, ne si Kuvend jemi përgjegjës ta ruajmë transmetuesin publik”, tha Lushtaku.

Ndaj tij ka reaguar ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, i cili tha se që nga viti 2015, qeveria nuk ka obligim ligjor që t’i ndajë buxhet RTK-së.

Murati: Nuk qëndron më obligimi për ndarjen e buxhetit të RTK-së 0.7 përqind

“Në lidhje me këtë që iu referua deputeti obligimi prej 0.7 përqind ka qenë në vitin e parë pas miratimit të Ligjit dhe ajo kohë tashmë ka kaluar. Për vitet pasuese thuhet që Kuvendi do të gjejë një zgjidhje për financim permanent të transmetuesit publik. Kështu që nuk qëndron më ai obligim që u përmend nga deputeti”, theksoi Murati.

Në mbështetje të ministrit Murati, doli bashkëpartiaku i tij, kryetari i këtij Komisioni, Armend Muja, për çka tha se qeveria ka ndarë mjete për RTK-së aq sa ka pasur mundësi dhe ashtu siç kërkohet me Ligj.

Muja: Qeveria ndihmoi RTK-në në bazë të mundësive

“Është e vërtetë që Ligji ka pasur si zgjidhje provizore, është dhënë ajo, pastaj e ka pasur afatin deri më 2015. Pas vitit 2015, shkruan decidivisht që Kuvendi sipas mundësive mund ta ndihmojë. Kështu që po mendoj se këta kanë pasur aq mundësi ta ndihmojë”, tha ai.

Kuvendi më 25 nëntor ka miratuar në parim projektbuxhetin 2022.

Bazuar në vendimin e Kuvendit të Kosovës të datës 25 nëntor 2021 lidhur me shqyrtimin e projektligjit mbi ndarjet buxhetrore për Buxhetin e Kosovës, kryetari Muja ka njoftuar anëtarë e Komisionit se fillimisht afati për procedimin e amendamenteve për projektligjin nga deputetët ka qenë data 3 dhjetor 2021 deri në orën 16:00.

Pas trajtimit të këtyre amendamenteve dhe kërkesave buxhetore, deputeti Muja tha se me datën 22 dhjetor 2021 në orën 10:00 mbahet seanca për shqyrtimin në lexim të dytë kur pritet edhe miratimi i këtij ligji. Muja në fund bëri me dije se Komisioni ende nuk e di se sa amandamente kanë ardhur deri në orën 16:00 nga subjektet parlamentare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat