Apeli vërteton aktakuzën ndaj ish-kreut të Malishevës, Ragip Begaj

Aktuale

Apeli vërteton aktakuzën ndaj ish-kreut të Malishevës, Ragip Begaj

Më: 7 dhjetor 2021 Në ora: 15:11
Ragip Begaj

Gjykata e Apelit të Kosovës ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes së ish- kryet të komunës së Malishevës, Ragip Begaj për hudhjen e aktakuzës ndaj tij, duke konfirmuar kështu vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Gjykata e Apelit në njoftimin e saj ka bërë të ditur se kërkesa e mbrojtjes së Begajt për hudjen e aktakuzës në të cilët ish-kreu i Malishevcës akuzohet për veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar është refuzuar si e pabazë.

“Departamenti Special i Gjykatës së Apelit të Kosovës, pas shqyrtimit të të gjitha shkresave të lëndës dhe vlerësimit të pretendimeve ankimore, ka konstatuar se duhet që të refuzohet si e pabazuar ankesa e mbrojtësit te pandehurit R.B., ndërsa është vërtetuar aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, PS.nr.12/2021 të datës 08.09.2021. Me aktvendimin e lartcekur të Gjykatës Themelore në Prishtinë, është refuzuar si e pabazuar kërkesa për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave të ushtruara nga mbrojtësi i të pandehurit R.B”, thuhet në njoftim.

Sipas gjykatës, i pandehuri R.B. akuzohet për shkak të veprës penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1. lidhur me nenin 81 të KPRK.

Ndryshe, aktakuza e ngritur më 7 prill 2021, e ngarkon ish- kreun e Malishevës, Ragip Begaj se më 6 korrik 2018 e në vazhdimësi, në cilësinë e personit zyrtar, respektivisht si kryetar i Komunës së Malishevës, me dashje dhe duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar i ka tejkaluar kompetencat e tij, duke i shkaktuar dëm Rexhep Rudit dhe buxhetit të Komunës së Malishevës.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Begaj, më 7 nëntor 2018, ka caktuar lokacionin për ndërtimin e shkollës në fshatin Panorc, ku i kishte premtuar të dëmtuarit që të hyjë në marrëveshje për shkëmbimin e tokës me qëllim të ndërtimit të kësaj shkolle.

Po ashtu aktakuza thotë se një pjesë e objektit të kësaj shkolle ishte planifikuar të ndërtohej në pronë private, në kundërshtim me vendimin e Kuvendit Komunal të 4 majit 2018, i cili vendim kishte për qëllim që të ndërtohej aneks i shkollës “Visar Krasniqi” në fshatin Drenoc të Malishevës, i cili aneks nuk ishte ndërtuar asnjëherë.

Për këto veprime, Ragip Begaj po ngarkohet për kryerjen e veprës penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1 i Kodit Penal lidhur me nenin 81, ku dënimi parashihet me burg prej gjashtë muaj deri në pesë vjet. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat