Kërkoi formimin e Asociacionit, Luljeta Aliu i reagon ashpër diplomatit të BE-së: A jemi të burgosur apo rojtar dere ...?

Aktuale

Kërkoi formimin e Asociacionit, Luljeta Aliu i reagon ashpër diplomatit të BE-së: A jemi të burgosur apo rojtar dere ...?

Nga: A.ZH Më: 8 dhjetor 2021 Në ora: 17:06
Luljeta Aliu

Analistja e çështjeve politike Luljeta Aliu, i ka reaguar përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Joseph Borrell, i cili ka kërkuar formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Aliu ka thënë se Kosova vendos vet se çka është e rëndësishme për të, duke ia kujtuar Borrellit se Serbia nuk i ka zbatuar dy të tretat nga 33 marrëveshjet e nënshkruara me Kosovën, përcjell Bota sot.

Sipas analistes, krijimin e ASK-së nuk e kërkojnë as Pakoja e Ahtisaarit dhe as Kushtetuta e Kosovës, por kërkesa për një asociacion me kompetenca ekzekutive është bërë me ndikim direkt të Serbisë.

Borrell, dje në konferencën e përbashkët me kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin, insistoi se kjo ishte njëra prej marrëveshjeve të arritura në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë dhe si e tillë duhet të respektohet.

“Pajtohem që Gjykata Kushtetuese (e Kosovës) vendosi pengesa në zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Por, kjo (marrëveshje) u arrit ndërmjet përfaqësuesve të dy qeverive dhe në kuadër të dialogut. Kështu që, më vjen keq, por na duhet të kërkojmë zbatimin e kësaj marrëveshjeje”, ka thënë Borrell.

Reagimi i Aliut në Facebook:

As Pakoja e Ahtisaarit e as Kushtetuta e Kosovës nuk e kërkojnë krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Asociacionet e komunave lejohet të krijohen, por jo me kompetenca ekzekutive. Kërkesa për një asociacion me kompetenca ekzekutive është bërë me ndikim direkt të Serbisë, me qëllim destabilizimi të politikës së Kosovës për interesa politike personale të Vuçiqit, e jo në të mirë të qytetarëve serbë të Kosovës.

Nga Serbia është kërkuar asociacioni me kompetenca ekzekutive. Nënshkrimin e kanë dhënë dy politikanë kosovarë atëherë. Gjithsesi, ajo marrëveshje është dashur të shkojë në Gjykatë Kushtetuese, e cila ka gjetur se marrëveshja shkel 23 nene të Kushtetutës së Kosovës dhe nuk mund të jetësohet.

33 marrëveshje janë nënshkruar mes Kosovës dhe Serbisë. Serbia dy të tretat nga këto marrëveshje nuk i ka zbatuar.

Tani del një diplomat evropian dhe na tregon se cilat marrëveshje qenkan më të rëndësishme? E pse pikërisht po i del edhe atij që qenka mu ajo që edhe Serbia këmbëngulë se është më e rëndësishmja? Më e rëndësishme për kë? Për Serbinë? Shtetin agresor që ka bërë gjenocid dhe spastrim etnik në Kosovë? A jemi palë në dialog, apo të burgosur në dialog nga BE dhe rojtar dere e kemi Serbinë?

Çka është e rëndësishme për ne, e vendosim ne vetë. Narrativin patronizues jemi mësuar ta dallojmë qëmoti! BE-ja le të bëjë fasilitimin, e jo caktimin e agjendës!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat