Për çfarë bashkimi po flet Komisionari Varhelyi – për një Jugosllavi të re? / Trysninë ruse pse po e zbrazni mbi Kosovë!

Aktuale

Për çfarë bashkimi po flet Komisionari Varhelyi – për një Jugosllavi të re? / Trysninë ruse pse po e zbrazni mbi Kosovë!

Nga: Idriz Morina Më: 21 dhjetor 2021 Në ora: 18:54
Komisionari Vaherlyi gjatë një konference për shtyp

Në gjithë debatin e zjarrtë Kosovë-Shqipëri, se pse Edi Rama, po ia nënshtron Shqipërinë Serbisë, duke ia hapur rrugën okupimit ekonomik, Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi dha një deklaratë, shumë interesante.

Të hënën për herë të parë, opozita në Shqipëri, e udhëhequr nga Dr.Sali Berisha organizoi një nga protestat më të mëdha, në mbrojtje të interesave të Kosovës, të cenuara nga marrëveshjet Rama-Vuçiq!

‘Bashkëpunimi rajonal po çon në bashkim’

Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, si për të konfirmuar frikën e kritikëve për sjelljen e Ramës ndaj Kosovës, në mesazhin e tij përkrahës për marrëveshjen e “Ballkanit të hapur” dhe marrëveshjet e nënshkruara në Shqipëri nga tri shtetet anëtare, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, tha se këto ishin mesazhet më të mira pozitive që priste, dhe që mund të përçonte, pa ngulmimin për integrim në BE.

“Ne kuptojmë se ky është mesazhi që rajoni mund të përçojë, se jo vetëm që është gati për bashkëpunim rajonal, por po e zhvillon këtë bashkim”, tha ai.

Pra, Komisionari Varhelyi, po e çon më tej mesazhin dhe aktet që deri më tani ne i kemi kuptuar. Ai po flet për një bashkim, bashkim rajonal. Pra, ai po e sheh “Ballkanin e hapur” si një lëvizje për bashkim në një administrim, apo edhe në një konfederatë.

Adem Demaçi, në krizën më të madhe të luftës në Kosovë, ende fliste për opsionin e ballkanisë, të bashkimit të disa shteteve brenda një unioni, madje këtë e shihte si opsion më të mirë se vet pavarësinë! Meqë si duket nuk besonte se mund të ishte e pavarur Kosova! Por, e kujtova këtu në funksion të informacionit, mbase do ta kishte dëgjuar këtë si projekt, diku!

Ndoshta ky deklarim i Komisionarit Varhelyi nuk do të merret seriozisht për një kohë, por nuk është larg ideve të mëparshme, që kishin mbështetje si projekte.

Në të gjitha këto lloj projektesh është se epiqendër e kanë Beogradin. Pra, as Shkupin, as Tiranën.

Çfarë ka bërë Komisionari Varhelyi për integrimin e Shqipërisë...

Derisa Serbia tashmë në aspektin kohor të zgjatjes së procesit të integrimit, etapave që parasheh ky proces, ajo ndodhet shtatë vjet para Shqipërisë dhe Maqedonisë së veriut. Pra, për ta arritur fazën ku ndodhet Serbia, e cila në fakt këtë proces e ka zvarritur vet, qëllimisht, për të pasur jo më dy qendra mbështetëse por, katër, Uashingtonin, Moskën, Brukselin dhe Pekinin.

A mos kjo zvarritje e qëllimshme e proceseve, nga BE-ja për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ka një plan sekret, krijimin e një qendre ballkanike, me seli në Beograd?!

Por, ta shohim rrjedhën e ngjarjeve në dy vitet e fundit, prej se z.Varhelyi e mori detyrën e Komisionarit të BE-së. Vaherly, një nga detyrat kyçe të përshkruara si kompetenca e ka, “Mbështetjen e propozimeve për hapjen e negociatave të zgjerimit me Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Republikën e Shqipërisë”.

Dy vjet më parë kishte premtuar se do ta ndihmonte edhe Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrellin që ta arrijë qëllimin e përmbylljes së dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, gjatë vitit 2020.

Por, siç shihet edhe gjatë vitit 2021 nuk ka arritur të bëjë asgjë.

Vaherlyi nuk e përkrahu vizionarin Sassoli

Por, Vaherlyi nuk kishte bërë asgjë, as për të realizuar madje kërkesat e kreut të Parlamentit Europian, David Sassoli, i cili po në të njëjtën seancë të fundvitit 2019, kishte këmbëngulur që Komisioni Europian t’i niste negociatat për anëtarësim sa më shpejt me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Madje sipas Sassolit, kjo duhej të bëhej për shkak të interesit strategjik të BE-së. “Asnjëherë nuk duhet të harrohet se procesi i zgjerimit është interes politik dhe gjeografik i BE-së”, kishte deklaruar ai, duke e parë si problem të sfidave globale.

Por, Vaherlyi ka mbyllur sytë për dy vite, edhe pse nuk ka qenë as në fuqinë e tij që të bënte më shumë, pasi shtetet anëtare të BE-së mund të përdorin veton, siç ka ndodhur me Maqedonisë, kur më 2019 vendosi veto Franca, dhe më pas Bullgaria. Aktualisht Bullgaria është duke e zvarritur procesin integrues të Maqedonisë, për shkak të ndryshimi të dhunshëm të identitetit të një pjesë të konsiderueshme të bullgarëve në Maqedoni.

Bullgaria po ashtu ua ka dhënë shtetësinë e saj rreth 100 mijë maqedonasve, që e njohin veten për bullgar në Maqedoni.

Por, Shqipëria, ndaj të cilës nuk ka kush të vendosë veto, sepse është e rrethuar nga tri anët me shtete me popullsi shqiptare, Greqia, Maqedonia, Kosova dhe Mali i Zi, dhe vetëm Greqia është anëtare e BE-së, po pengohet thuaja në unison.

Kuptohet pengesa kryesore është keqmenaxhimi nga Edi Rama, prej më se shtatë vitesh, si rritja e korrupsionit, krimit të organizuar, trafikimit, dhe shkeljeve të tjera sistematike, por në këto pika nuk dallon thuaja prej Serbisë me asgjë, pasi ajo ka në krye një president krejtësisht autoritar, dhe siç dëshmoi Lista e zezë e SHBA-ve, rrjeti kriminal ndërkombëtar me bazë në veri të Kosovës, ndihmohet nga Vuçiqi, i cili edhe mund të nënkuptohet si kreu i grupit apo grupeve kriminale (të tjera që nuk janë në listë të zezë të SHBA-ve), për shkak të afërsisë dhe ndikimit, i mbështetur nga hetimet e mediave dhe nga deklarimet e politikanëve opozitarë.

Serbia i ka hapur negociatat e anëtarësimit me BE-në në vitin 2014.

Serbia javën e kaluar e ka filluar edhe hapjen e Grupit të katërt të kapitujve në kuadër të Kapitullit 4 për integrim në Bashkimin Europian

Grupi i katër i kapitujve të hapura për Serbinë, njihet edhe si Agjenda e Gjelbër dhe Lidhshmëria e Qëndrueshme i referohet Politikës së Transportit, Energjisë, Rrjeteve Trans-Europiane e mjedisit dhe Ndryshimeve Klimatike.

Serbia i ka hapur deri tani 22 kapituj negociatash që nga fillimi i bisedimeve për anëtarësim që u hapën në vitin 2014.

Trysnia ruse

Menjëherë pas kësaj ka reaguar Rusia, duke ia kujtuar BE-së dhe Serbisë, raportet, përkatësisht marrëveshjet që ka Moska me Beogradin.

Në këtë kontekst ambasadori rus në Beograd, Aleksandar Kharchenko i ka kërkuar BE-së të ushtrojë trysni ndaj Kosovës për të zbatuar marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel me Serbinë, me theks të veçantë atë për asociacionin, pra që ai të ligjësohet me kompetenca ekzekutive antikushtetuese.

Pra, është e qartë, se Bashkimi Europian, nuk ka qasje kredibile dhe të njëllojtë ndaj Serbisë dhe shteteve shqiptare. Për të evituar apo shmangur presionin rus, më saktë duke iu nënshtruar atij presioni, zyrtarët e BE-së, po e shkarkojnë atë ndaj Kosovës, shtetit të brishtë, e të fikët, për shkak të zhvillimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit, arritjes së kulminacionit, në kohën që ai do të duhej të ishte në vlera nominale. Këto ndodhën apo morën përmasa ekstreme gjatë administrimit të UNMIK-ut, dhe më vonë, të administrimit të drejtësisë nga EULEX-i, përkatësisht BE-ja.

Drejtuesit e këtij misioni, që nga gjenerali Kermabo, ish komandant edhe i KFOR-it, patën deklaruar se së shpejti do arrestoheshin “peshqit e mëdhenj”. Asnjëherë nuk e bëri ai këtë, dhe asnjë nga të dërguarit e BE-së, pavarësisht që sunduan në drejtësi për gati një dekadë!

Por, për dështimin e misionit Evropian, EULEX, askush nuk mori përgjegjësi në BE, ndërsa dështimin po e paguan shtrenjtë Kosova!

Problemet në veri, dhe listat e zeza nga SHBA-ja nuk do të ekzistonin, sikur misioni i BE-së ta kishte përmbyllur misionin e ngarkuar!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat