Qeveria ia kthen KOSTT-it 20 milionë euro

Aktuale

Qeveria ia kthen KOSTT-it 20 milionë euro

Më: 23 dhjetor 2021 Në ora: 17:39
Hekuran Murati

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të radhës ka vendosur që t’ia kthejë ndërmarrjes publike energjetike KOSTT dividentën që ajo ia ka paguar këtë vit ekzekutivit.

Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë gjatë mbledhjes, se vetë KOSTT-i ka kërkuar që t’i kthehet dividenta në mënyrë që të ketë likuiditet shtesë si pasojë e krizës së krijuar me energjinë elektrike.

“Kemi ndarë 20 milionë euro për të mbuluar një pjesë të mungesës së likuiditetit në tregun energjetik për ndërmarrjen publike KEK, ndërkaq KOSTT-i ka kërkuar që të ketë likuiditet shtesë dhe t’i kthehet dividenta të cilën e kemi pranuar në kuadër të ligjit të rishikuar të ndarjeve buxhetore këtë vit, në mënyrë që të ketë likuiditetin e nevojshëm të vazhdojë operimi. Kemi tejkalim të planifikimit të të hyrave për së paku sa është kërkuar që të kthehet dividenta, prandaj për ne si Qeveri nuk është se na paraqet ndonjë problem. I mbetet KOSTT-it që të rishikojë çështjen e deklarimit të pagesës së dividentës”, ka thënë Murati.

Dividenta që KOSTT-i i ka paguar këtë vit Qeverisë së Kosovës ka qenë në vlerë prej 20 milionë euro.

Ndërkohë, javën e kaluar Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të ndajë 20 milionë euro për subvencionim të importit të energjisë elektrike, për shkak të krizës së krijuar energjetike në vend.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat