Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu dorëzoi në Gjykatën Themelore në Prishtinë padinë për shpifje ndaj ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, që kishte nisur gjithçka gjatë një seance në Kuvendin e Kosovës dhe kishte eskaluar në Komisionin për Bujqësi ku deputetja gjuajti me ujë ministrin, e që sipas Musliut, ka ndodhur si protestë ndaj të pavërtetave që ka folur Peci.
Musliu u shpreh se ka përfunduar koha kur ministrat e pandërgjegjshëm për të mbuluar paaftësinë e tyre hedhin sulm ndaj deputetëve.
Deputetja e PDK-së tha se ministri i Bujqësisë, Faton Peci me shpifjet të ulëta në drejtim të saj ka pasur qëllim dëmtimin e imazhit të saj.
Musliu: Me Pecin do të ballafaqohemi në gjyq
“Zotëri Peci do të ballafaqohet me mua në gjyq për shpifjet e tij të ulëta me qëllim të dëmtimit të reputacionit tim si dhe dëmtimit të imazhit tim si deputete dhe përfaqësueses së popullit në Kuvendin e Kosovës. Fakti se unë kam ushtuar dhe do ta ushtroj detyrën time si deputete e përgjegjshme me qëllim të mbrojtjes së interesave të qytetarëve në këtë rast të bujqve dhe fermerëve të Kosovës të cilët zotëri Peci i ka gënjyer dhe mashtruar, atij i ka penguar adresimi i çështjes që unë e kam ngritur dhe në mungesë të fakteve ai degradon me akuza të ulëta ndaj meje. [...] Për shpifjet e tij, siç e keni parë në Komisionin parlamentar (për Bujqësi), ai do të japë llogari në gjyq dhe unë nuk do të lejoj në asnjë formë që ai t’i shpëtoj dënimit të merituar”, theksoi Musliu.
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, u shpreh se në asnjë formë dhe në asnjë mënyrë nuk do të lejojë që jo Peci, por asnjë ministër tjetër, të adresojë çështjet që kanë të bëjnë me jetën e qytetarëve.
Musliu tha se akuzave të Pecit po i përgjigjet me mjete demokratike dhe ëhstë shprehur e bindur se gjykata do t’i japë të drejtë asaj.
Musliu: Ka përfunduar koha kur ministrat sulmojnë deputetët
“Ka përfunduar koha kur politikanë të pandërgjegjshëm, si ky ministër (Peci), për të mbuluar paaftësinë e tij hedhin sulm ndaj deputetëve që ju përgjigjen sipas Kushtetutës së vendit. Në asnjë formë dhe në asnjë mënyrë nuk do të lejojë që jo zotëri Peci dhe asnjë ministër, dhe asnjë tjetër, të ma ndalojë që të adresojë çështjet që kanë të bëjnë me jetën e qytetarëve të Kosovës. Do vazhdoj të jem një deputete aktive dhe e zëshme. [...] Nëse do të ketë drejtësi konsideroj se gjykata do të vendos në favorin tim sepse gjuajtja me ujë ka ndodhur pas akuzave të rënda të ministrit dhe ka qenë në formë proteste ndaj të pavërtetave, shpifjeve dhe fyerjeve që ka bërë ministri Peci ndaj meje”, u shpreh ajo.
Musliu ka paralajmëruar edhe komision hetimor parlamentar për këtë çështje, derisa shtoi se është e gatshme të jap llogari në çdo proces.
Musliu: Jam e gatshme të jap llogari në çdo proces, akuzat e Pecit janë të ulëta
“Si deputete që jam që 11 vite asnjëherë nuk kam pas pozitë menaxheriale në asnjë qeveri të Kosovës dhe jam e gatshme të jap llogari në çdo proces të mundshëm. Vazhdimisht kam bërë thirrje publike që edhe Prokuroria të hetojë çdo gjë që unë kam, dhe unë jam e hapur të bashkëpunoj me të gjitha institucionet e vendit. Sot e paraqita një padi dhe po shpresoj shumë që në sesionin pranveror do të gjej përkrahjen e deputetëve të Kosovës dhe ne të vazhdojmë me komisione hetimore parlamentare që të zbardhet çdo detaj edhe për grantet dhe subvencionet. Ka kaluar koha kur ne bëjmë akuza kolektive dhe nuk e adresojmë gishtin aty ku është problem. Një ministër i përgjegjshëm duhet të argumentojë me fakte dhe argumente dhe jo të akuzoj me akuza të pabaza, të rënda por mbi të gjitha shumë të ulëta”, tha Musliu.
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu ka treguar se ministri i Bujqësisë ka anuluar thirrjen për grante dhe nuk e ka bërë publike këtë vendim.
Sipas saj, tashmë përkundër dëmtimit që u është shkaktuar nga anulimi i këtij vendimi, bujqit nuk po kanë guxim që ta padisin ministrin Peci.
Musliu: Bujqit dhe fermerët po kanë frikë të padisin ministrin Peci
“Zoti Peci ka gënjyer bujqit, rreth 1 mijë bujq të cilët kanë aplikuar për të fituar grante në Ministrinë e Bujqësisë dhe ai ka bërë anulimin e thirrjes, gjë që kur bëhet anulimi i një thirrjeje publike duhet të bëhet edhe shpallja publike. Zotëri Peci e ka fshehur vendimin duke ditur se do të përballet me padi prej bujqve derisa unë e kam ngritur në Kuvend, në momentin që unë e kam ngritur këtë çështje në Kuvend, vendimi është marr në korrik zotëri Peci për herë të parë e ka shpallur vendimin në faqen zyrtare më 7 dhjetor pas reagimeve të mija... Bujqit për të kompletuar dokumentacionin kanë shpenzuar afër 500 mijë euro dhe tani ata kanë mbetur të lënë pas dore, të gënjyer dhe të mashtruar dhe më e keqja bujqit dhe fermerët nuk kanë pasur kohë që të bëjnë padi dhe tani frikësohen edhe të ngrisin padi ndaj ministrit për shkak se mund të penalizohen në rastet e tjera”, u shpreh ajo.