Anëtari i Bordit Ekzekutiv të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, Faton Bislimi dhe ish deputeti i LDK-së, Faton Bislmi, njoftoi se ka zhvilluar një takim të frytshëm me Ambasadorin e ri të SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier.
Në një postim në Facebook, Bislimi shkroi se bashkëbisedimi i tyre u fokusua në temat kryesore të politikës në Kosovë si dhe raportet me SHBA-në.
“Vitin e ri 2022 e fillova me një takim shumë të frytshëm e të rëndësishëm qysh në ditën e parë të punës pas festave të fundvitit: me Ambasadorin e ri të SHBA-ve z. Jeff Hovenier, i cili vetëm pas pak ditësh do të jetë në Prishtinë për të marrë udhëheqjen e Ambasadës Amerikane atje. Ambasadori Hovenier është një zyrtar i kalitur i shërbimit të jashtëm amerikan, veteran edhe i çështjes së Kosovës do të thoja, ngase ka qenë i dërguar i Departamentit të Shtetit në negociatat në Rambouillet dhe më vonë edhe në ato të Vjenës.
Bashkëbisedimi ynë u fokusua në temat më kruciale të politikës në Kosovë dhe në marrëdhënjet tona me SHBA-në. Si Anëtar Ekzekutiv i Bordit të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, organizatës sonë të vetme lobiste në Capitol Hill tash e mbi tri dekada, jam më se i lumtur të them se vendosshmëria e Uashingtonit për të përkrahur Kosovën mbetet e palëkundur. Ambasadori Hovenier e ka shumë të qartë pejsazhin politik në Kosovë dhe rajon”, potencoi Bislimi.
Ai tha se, Ambasadori Hovenier vjen në Prishtinë për të dërguar drejt përfundimit këtë proces të stërzgjatur të dialogut Kosovë-Serbi.
“Sfida më madhore politike e vendit mbetet procesi i dialogut me Serbinë. Ambasadori Hovenier vjen në Prishtinë për të dërguar drejt përfundimit këtë proces të stërzgjatur të dialogut Kosovë-Serbi dhe për të çuar përpara procese tjera të avancimit të Republikës sonë.
Në cilësinë time si ish-Deputet dhe tani anëtar i Kryesisë së LDK-së dua të ritheksoj edhe njëherë -- me zë të lartë e të kjartë -- se platforma e vetme që garanton suksesin tonë në tejkalimin e kësaj sfide madhore politike siç është dialogu është ‘uniteti në dallime,’ ngase dialogu, dhe veçanërisht përfundimi me sukses i tij, është interes kombëtar i Kosovës dhe tejkalon secilën parti e qeveri!”, potencoi Bislimi.
Sipas tij, as qeveria e as opozita nuk e kanë komoditetin e lojës me dy standarde sa i përket dialogut dhe ‘thembrës së Akilit’ në atë proces – asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Çfarëdo tentimi për të përfituar pikë të lodhta politike nga këto tema është totalisht i papranueshëm nga SHBA-të!”, nënvizoi ish deputeti.
Bislimi theksoi se gjatë takimit virtual me ambasadorin Hovenier ka insistuar në zbardhjen e vrasjes së Kolonel Tahir Zemajt, djalit të tij Enisit dhe kushëririt të tyre Hasan Zemaj.
“Në fund, por jo më pak e rëndësishme, në përvjetorin e 19të të vrasjes makabre të Kolonel Tahir Zemajt, bashkë me djalin e tij Enisin, dhe kushëririn Hasanin, nuk munda të mos insistojë në zbardhjen e krimeve si ky ndaj Zemajve e shumë të tjerëve”, shtoi ai.
Bislimi potencoi se Kosova ekziston falë sakrificës së shumë gjeneratave, rezistencës aktive, luftës çlirimtare dhe vizionit të Presidentit Rugova ('në miqësi permanente me SHBA-të'), të cilin Ambasadori e kishte njohur personalisht dhe për të cilin ai gëzon një respekt të veçantë!
“SHBA-të, si partneri e aleati ynë i pazëvendësueshëm, nuk kanë investuar kot në Kosovë që nga Rezoluta Kongresionale e parë më 1986 e deri më tani. Projekti i shtetit të Kosovës është edhe projekt i interesave gjeostrategjike amerikane. Kushdo – në Beograd apo gjetiu – që pretendon se mund ta zhbëjë ose dëmtojë deri në jofunksionalitet këtë Republikë, do të dëshpërohet keq! P. S. Edhe pse takimi ishte paraparë të mbahej ‘live’, për shkak të masave të shutara anti Covid-19 në Departamentin e Shtetit, takimi u mbajt online”, përfundoi Bislimi.