Gërvalla diskuton me nxënësit për dhunën në familje: Zëri i të rinjve duhet të dëgjohet

Aktuale

Gërvalla diskuton me nxënësit për dhunën në familje: Zëri i të rinjve duhet të dëgjohet

Nga: A.M. Më: 27 nëntor 2026 Në ora: 16:30
Donika Gërvalla gjatë bashkëbisedimit me nxënësit e Shkollës së Mesme të Mjekësisë “Elena Gjika” për dhunën në familje dhe mbrojtjen e viktimave.

Ministrja Donika Gërvalla ka zhvilluar një bashkëbisedim me nxënësit e Shkollës së Mesme të Mjekësisë “Elena Gjika”, ku temë diskutimi ishte dhuna në familje dhe përgjegjësia institucionale e shoqërore për mbrojtjen e viktimave.

Përmes një postimi, Gërvalla ka theksuar se, ndonëse gratë mbeten grupi më i prekur nga dhuna në familje, mbrojtje të veçantë meritojnë edhe fëmijët dhe të moshuarit, veçanërisht ata që janë më të pambrojtur për shkak të moshës apo gjendjes shëndetësore.

Ajo ka bërë të ditur se gjatë takimit ka dëgjuar pikëpamjet e të rinjve për dhunën dhe mënyrën se si institucionet duhet të reagojnë ndaj saj.

Sipas Gërvallës, mendimet e nxënësve do të kenë vendin e tyre në hartimin e Strategjisë Kombëtare për Mbrojtjen nga Dhuna 2027–2031.

“Asnjë jetë nuk është më pak e denjë për mbrojtje. Një strategji e mirë nuk përcakton vetëm kë duhet të mbrojë, por kupton edhe çfarë duhet të ndryshojë në jetën e njerëzve”, ka shkruar ajo.

Në fund, Gërvalla ka theksuar rëndësinë e përfshirjes së të rinjve në këtë proces, duke shtuar se zëri i tyre duhet të dëgjohet sot, në mënyrë që siguria e tyre të mos mbetet vetëm një premtim për të ardhmen.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat