Kryeministri Albin Kurti sërish i bëri thirrje Bashkimit Evropian që Kosovës t’ia japë statusin e vendit kandidat dhe të nisë procesin e negociatave për anëtarësim, raporton Kosovapress.
Në Samitin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, që u mbajt në Tiranë, Kurti paralajmëroi se mosveprimi mund ta dëmtojë besimin në perspektivën evropiane të vendit.
Ai theksoi se Kosova është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që ende nuk e ka statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Një proces i bazuar në merita duhet të na japë mundësinë të vlerësohemi; përndryshe, një histori e përparimit demokratik rrezikon të shndërrohet në një tregim paralajmërues. Këshilli i Bashkimit Evropian më në fund t'i kërkojë Komisionit Evropian përgatitjen e opinionit për aplikimin e Kosovës për anëtarësim. Muaji i ardhshëm shënon katër vjet nga dorëzimi i aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE. Statusi i kandidatit dhe hapja e negociatave të anëtarësimit – një hap që Kosova e ka fituar me meritë”, tha Kurti.
Ai vuri në dukje se mbështetja e qytetarëve të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe besimi i tyre në këtë institucion janë ndër më të lartat në rajon, prandaj, sipas tij, kërkesa për avancim në procesin e integrimit është bërë urgjente.
Kurti u ndal edhe në përparimin ekonomik dhe demokratik të Kosovës, duke iu referuar raporteve të organizatave ndërkombëtare. Ai vuri në pah rritjen ekonomike 4.7 për qind në gjysmën e parë të këtij viti, rritjen e investimeve private dhe uljen e papunësisë nga 26 në 11 për qind.
Sipas tij, Kosova ka përmbushur një pjesë të konsiderueshme të reformave në kuadër të Planit të Rritjes dhe se pas një periudhe të ngadalësimit për shkak të zgjedhjeve të përsëritura, vendi ka rifituar stabilitetin institucional dhe ka përshpejtuar zbatimin e tyre.
Kryeministri Kurti pas Samitit BE–Ballkani Perëndimor në Bruksel, po merr pjesë në Samitin e gjashtë radhazi të Planit të Rritjes, të tretin që mbahet në Tiranë. Bashkë me kryeministrin Rama, përfaqësuesit e rajonit dhe Komisioneren Kos, diskutuan reformat dhe integrimin gradual në Tregun e Vetëm të BE-së.