Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka zhvilluar një takim bilateral me Presidenten e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova, në kuadër të takimit të liderëve të Iniciativës Rajonale Brdo-Brijuni, që po mbahet në Ohër.
Gjatë takimit, të dy presidentet vlerësuan bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, si dhe dinamikën pozitive të marrëdhënieve politike, diplomatike dhe ekonomike.
Sipas njoftimit, presidentja Shiroka Pula theksoi rëndësinë e vazhdimit të mbështetjes së Maqedonisë së Veriut për anëtarësimin e plotë të Kosovës në Këshillin e Evropës, si dhe përkrahjen reciproke në organizatat ndërkombëtare dhe rajonale.
Në takim u diskutua edhe për zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike, me ç'rast u vlerësua rritja e shkëmbimeve tregtare, përmirësimi i bilancit tregtar dhe zgjerimi i bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve.
Një pjesë e diskutimeve iu kushtua edhe projekteve infrastrukturore që lidhin Kosovën me Maqedoninë e Veriut.
Shiroka Pula përshëndeti vendosjen e pikave të përbashkëta kufitare dhe fillimin e punimeve në autostradën Shkup–Bllacë.
Ajo theksoi gjithashtu rëndësinë e përfundimit të procedurave për ndërtimin e tunelit që do të lidhë Prizrenin me Tetovën, si dhe përpjekjeve për rivendosjen e linjës hekurudhore Prishtinë–Shkup.