Gazetaria në Kosovë e ka humbur njërin prej gazetarëve më të përkushtuar të raportimit nga qendrat rajonale dhe njërin prej gazetarëve më besnik në informimin objektiv.
Hysni Syla, për rreth një dekadë punoi si reporter i “Bota sot” nga Mitrovica duke mbuluar ngjarjet në mënyrë të duhur, profesionale, dhe me delikatesë.
Ai raportoi për gjithë ato zhvillime në Mitrovicë, në urën e Ibrit, në veriun e Kosovës, duke bërë përpjekje që nëpërmjet informimit të jepte edhe ndihmën e tij, për të ruajtur kohezionin e territorit, dhe pas njohjes së pavarësisë, të vetë shtetit.
Ne kolegë e redaktorë, që patëm rastin të punojmë me të, e kujtojmë si njeri të qetë, të dashur, dhe të arsyeshëm.
Një njeri që e njihte bashkëpunimin profesional më mirë se çdo gjë tjetër.
Edhe kur ai u bë zëdhënës në Komunën e Mitrovicës bashkëpunimi me Hysniun ishte në nivelin më të mirë, i qasshëm, i përgjegjshëm dhe i gatshëm për të ndihmuar në informim të drejtë dhe të saktë.
Fatkeqësisht, ai para kohe iu bashkua kolegëve tanë të ndjerë, atyre me të cilët bashkëpunuam gjatë dhe vdiqën në mënyrë të natyrshme, si redaktori shkrimtari i shquar dhe publicisti i pakapërcyeshëm Teki Dervishi (2011), redaktori e publicisti Llukam Halili (2020), Jusuf Ferizi (2003), Rexhep Demiri (2004), reporteri e komentatori Nazmi Lukaj (2011), Refik Serqa (2013), Rrok Berisha (2019), Tefik Selimi (2019), Ramadan Asllani (2019), Kastriot Shehdadi (2020), Ismet Ramadani (bashkëpunëtor sport viti 2000-2001), Agim Hasani redaksia e grafikës (faqosje), Hamdi Tovërlani (2015), Agim Binaku (2018), Hivzi Krasniqi (2019), bashkëpunëtorët Ymer Bajra e Avni Shabani (2020), dhe atyre që na vdiqën nga plumbat e pamëshirshëm nga dora e ligë shqiptare, si Bekim Kastrati (2001) e Bardhyl Ajeti (2005). Po ashtu bashkëpunëtorë të “Bota sot” ishin edhe intelektualët, shkrimtarët, Enver Maloku (1999) dhe Xhemail Mustafa (2000), bashkëpunëtorë e këshilltarë të Presidentit Rugova.
Dhimbjen e shton në këtë rast, humbja e papritur, aksidentale e Hysniut!
Hysniu e humbi jetën tragjikisht, pasi natën e mbrëmshme një ngasës i pakujdesshëm e goditi rëndë më veturë, dhe si pasojë e plagëve të rënda, ai ndërroi jetë!
Një burrë si ai meriton të gjitha nderimet e duhura!
Gazeta “Bota sot” dhe gjithë stafi i saj i shpreh ngushëllimet më të thella familjes së tij të nderuar, për humbjen e më të dashurit të saj, duke ia kujtuar se në këtë humbje marrim pjesë të gjithë, dhe se ju do të mbeteni të nderuar përherë për ne, dhe të jeni krenarë për Hysniun!
Ai u varros sot me nderime në vendlindjen e tij në Zasellë, fshat në komunën e Mitrovicës.
Lamtumirë mik e koleg, Hysni!