Qeveria: Do t’i ndalojmë kriptovalutat edhe në veri të Kosovës

Aktuale

Qeveria: Do t’i ndalojmë kriptovalutat edhe në veri të Kosovës

Më: 6 janar 2022 Në ora: 12:59
Bitcoin. Fotografi ilustruese.

Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur do të identifikojë lokacionet e prodhimit të kriptovalutave në të gjithë territorin e shtetit.

Përmes një përgjigje me shkrim dërguar Radios Evropa e Lirë, zyra për media e Qeverisë ka njoftuar se pas identifikimit do të ndërpritet prodhimi i kriptovalutave, duke përfshirë edhe në veriun e Mitrovicës.

“Organet e rendit dhe të drejtësisë, në bashkëpunim të ngushtë me institucionet relevante të sektorit të energjisë, do të identifikojnë lokacionet e prodhimit të kriptovalutave në të gjithë Republikën e Kosovës dhe do ta ndërprenë këtë aktivitet. Veriu i vendit do të trajtohet njëjtë si gjithë pjesa tjetër e territorit të Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigje.

Qeveria, megjithatë nuk ka thënë se si do të identifikojë këto lokacione.

Zëdhënësi i Kompanisë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS), Viktor Buzhala, tha të mërkurën për Radion Evropa e Lirë se kjo kompani e ka të pamundur të identifikojë lokacionet ku prodhohen kriptovalutat, e aq më pak në veri të Kosovës.

“Identifikimi i lokacioneve ku prodhohen kriptovaluta, nuk është kompetencë e KEDS-it. Dihet që nuk e furnizojmë veriun dhe nuk kemi qasje atje, e kemi të pamundur”, tha Buzhala.

Për shkak të kompleksitetit të shpenzimit të energjisë nga pajisjet për prodhimin e kriptovalutave, Buzhala tha se e kanë të pamundur ta dinë se sa energji shpenzojnë ato.

“E dimë që janë shpenzues relativisht të mëdhenj [të energjisë elektrike] pasi që bëhet fjalë për angazhim të madh të energjisë, por nuk e dimë sa pajisje janë në treg, cilat janë lokacionet tyre, a punojnë gjatë gjithë kohës, çfarë kapaciteti shpenzues kanë ato”, theksoi Buzhala.

Në përgjigjen e Qeverisë së Kosovës thuhet se “në vitin 2021 është rritur konsiderueshëm konsumi i energjisë elektrike dhe një ndër faktorët e rritjes së konsumit besohet të jetë prodhimi i kriptovalutave në vend, me theks të veçantë në veri të vendit”.

“Sa për ilustrim, prodhimi i një kriptovalute, duke marrë parasysh shifra konservative, konsumon energji sa afro 19 shtëpi kosovare mesatare në vit”, thuhet në përgjigje.

Që prej vitit 1999, furnizimi me energji elektrike në pjesën veriore të Kosovës është problem. Që nga ajo kohë, qytetarët e Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit nuk paguajnë për energjinë e shpenzuar.

Rreth 12 milionë euro në vit llogaritet fatura e përbashkët e energjisë së shpenzuar në katër komuna në veri të Kosovës. Së fundmi, Kosova po përballet me krizë energjike, pas rritjes së importit të energjisë. Autoritetet kanë miratuar masat emergjente për energji.

Qeveria e Kosovës ka njoftuar të martën, më 4 janar, se institucionet kompetente do të angazhohen që të ndalojnë prodhimin e kriptovalutave, pasi dyshohet se pajisjet me të cilat prodhohen ato, shkaktojnë konsum të lartë të energjisë elektrike./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat