Aksioni “Brezovica”/ Prokurori thotë se kanë ngrirë afër 6 milionë euro, ja çka paralajmëron

Aktuale

Aksioni “Brezovica”/ Prokurori thotë se kanë ngrirë afër 6 milionë euro, ja çka paralajmëron

Më: 6 janar 2022 Në ora: 14:27
Prokurori i rastit “Brezovica”, Rasim Maloku

(E plotësuar 17:38) - Gjashtë milionë euro janë ngrirë në rastin  “Brezovica”, në të cilin edhe sot Policia e Kosovës ndërmorri disa aksione në disa lokacione të vendit.

Prokurori i rastit, Rasim Maloku tha se janë konfiskuar armë, vetura e prova materiale

Vlera e ngrirë deri tash kap shifrën e gjashtë milionë eurove siç bëri të ditur ai.

“Sot kemi zbatuar një urdhër në disa lokacione, 4 persona janë në kërkim pasi nuk janë gjetur në shtëpitë e tyre. Janë konfiskuar disa prova matertiale, vetura, armë. E rëndësishme është se gjatë zhvillimit të hetimeve prej 21 dhjetor deri më tani, nga të dhënat financiare që kemi siguruar, deri më tani kemi ngrirë afër 6 milionë euro”, tha ai.

“Shumica e këtyre mjeteve janë të vetë të pandehurve kurse një pjesë e tyre janë të familjarëve që dyshohet se janë përfituar si dobi pasurore nga veprat penale. Ky proces do të vazhdojë në ditët e ardhshme”, ka thënë Maloku.

“Gjatë aksionit janë sekuestruar një veturë “BMW X1” armë “CZE” e “Zastava”, një kuti me armë, një shtëpizë e kompjuterit, një karikator i zbrazët, një USB, një uniformë e policisë serbe dhe dokumente të ndryshme”, ka thënë kapiteni, Adnan Haziri.

Nga Prokuroria bënë të ditur po ashtu se janë ndaluar për 48 orë kryeinspektori Bedri Halimi si dhe ish-sekretari Arben Çitaku.

***

Prokurori i rastit “Brezovica”, Rasim Maloku ka njoftuar se Prokuroria i ka ngrirë afër 6 milionë euro, para të të arrestuarve dhe familjarëve të tyre.

Në një konferencë për media, prokurori Maloku tha se shumica e parave të ngrira janë të vetë të pandehurve,

“Nga të dhënat financiare që i kemi siguruar nga bankat që i posedojnë këta të pandehur dhe familjarët e tyre, deri tani kemi ngrirë afër 6 milionë euro. Shumica e këtyre mjeteve janë të vetë të pandehurve, kurse një pjesë e tyre janë të familjarëve të tyre që dyshohet se janë mjete të përfituara si dobi pasurore nga veprat penale”, tha Maloku.

Ai paralajmëroi se aksione të ngjashme si sot dhe ai më herët do të zhvillohen sërish.

“Nuk është aksioni i fundit. Ky proces do të vazhdojë në ditët e ardhshme dhe do të njoftoheni me kohë”, tha prokurori Maloku.

Ndërsa zyrtari policor, Agron Haziri tha se në aksionin e sotëm u arrestuan 4 persona. Njëri prej tyre tha se është liruar, ndërsa tha se janë në kërkim edhe të 5 personave tjerë.

“Operacioni ka rezultuar me 4 persona të arrestuar. Një person i dyshuar është liruar në procedurë të rregullt. 3 persona të tjerë janë ndaluar për 48 orë me vendim të prokurorit dhe 5 persona janë në kërkim policor”, tha Haziri.

Ai njoftoi se të arrestuarit, përveç ryshfetit, dyshohen edhe për pengim të procesit dhe frikësim.

***

Prokuroria Themelore në Ferizaj do të mbajë konferencë lidhur me aksionin policor “Brezovica”.

Pjesëmarrës në këtë konferencë do të jenë Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari, prokurori i çështjes Rasim Maloku si dhe përfaqësues nga Policia e Kosovës.

“Konferenca do të mbahet nga ora 17:00, në objektin e Prokurorit të Shtetit dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës në Prishtinë, kati i tretë, salla e takimeve të KPK-së duke respektuar masat për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Ferizaj.

Sot janë arrestuar 7 persona në këtë aksion.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat