Krasniqi pas takimit të komitetit: Mos e nënvlerësoni Omicronin – vaksinohuni!

Aktuale

Krasniqi pas takimit të komitetit: Mos e nënvlerësoni Omicronin – vaksinohuni!

Më: 20 janar 2022 Në ora: 13:37
Pamje nga takimi

Ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka marrë pjesë sot në takimin e komitetit për koordinimin dhe vlerësimin e situatës me pandeminë Covid19.

Ai bëri thirrje që qytetarët të mos e nënvlerësojnë variantin Omicron.

Krasniqi po ashtu shtoi se vaksinimi masiv mbetet mjeti më i fortë dhe efikas ndaj Covid19.

“Sot në prezencën e Kryeministrit të Republikës së Kosovës z. Albin Kurti është mbajtur takimi i komitetit për koordinimin dhe vlerësimin e situatës me pandeminë COVID-19.

Gjatë këtij takimi është diskutuar për rastet e reja të cilat janë konfirmuar me variantin Omicron, i cili përhapet jashtëzakonisht shpejt dhe lehtë në krahasim me variantet e mëparshme të virusit Corona.

Gjithashtu janë diskutuar masat e vendosura të cilat duhet të kenë qëllim kryesor ngadalësimin e rritjes së rasteve. Ngadalësimi i rritjes së numrit të rasteve do të sigurojë që funksionimi i sistemit shëndetësor të mos rrezikohet nga një fluks i madh dhe i përnjëhershëm i pacientëve nëpër spitale, apo nga mungesa e punonjësve shëndetësorë të infektuar.

Nga ky takim u bë thirrje për qytetarët, që të mos nënvlerësohet varianti Omicron. Të gjitha informatat nga vendet e tjera dëshmojnë qartë dhe pa asnjë dyshim, se ky variant mund të shkaktojë sëmundje të rëndë dhe humbje jete, sidomos mes personave të pavaksinuar dhe deri diku, edhe mes atyre që nuk kanë marrë dozën përforcuese.

Prandaj, iu bëj thirrje qytetarëve, që të vaksinohen sa më shpejt dhe, në veçanti, ta marrin dozën përforcuese posa të kalojnë tre muaj pas marrjes së dozës së dytë. Si gjithmonë, mjeti më i fortë dhe më efikas për të mbrojtur vetveten dhe të tjerët përreth nesh, mbetet vaksinimi masiv”, tha ai

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat