Detajet e kontratës 105 mijë euroshe për të cilën Krimet Ekonomike “kapën” zyrtarin e ShSKUK-së

Aktuale

Detajet e kontratës 105 mijë euroshe për të cilën Krimet Ekonomike “kapën” zyrtarin e ShSKUK-së

Më: 20 janar 2022 Në ora: 19:55
ShSKUK

Rasti për të cilin është ndaluar L.J., i IT-së në Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (ShSKUK), ka të bëjë me një nga të gjeturat e raportit të Auditorit Gjeneral të Publikuar më 2021.

L.J. është ndaluar për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, të cilën dyshohet se e ka kryer në cilësinë e menaxherit të kontratës nga QKUK “furnizimi dhe montimi i sistemit të integruar të monitorimit me kamera dhe integirmi i sistemit të kontrollit të qasjes”.

Sipas të dhënave publike kontrata e QKUK-së për furnizim dhe montim të kamerave për të cilën dyshohet se është ndaluar L.J., peshon 104 mijë euro. Ajo është nënshkruar në shtator të vitit 2020.

Ndërkohë që Auditori në raportin e tij shkruante se në depo ka mungesë të mallit që zyrtarisht është blerë nga kjo kontratë.

“Ne gjatë auditimit nuk kemi gjetur sasinë e deklaruar të mallit në depo dhe nuk kemi gjetur pranimin e mallit nga depoisti, i cili deklaron se deri më datë 27.08.2021 ditë e premte nuk ka pasur asnjë pranim të mallit nga kjo kontratë”, thuhet në raport.

Gjithashtu në raport thuhet se depoisti ka deklaruar se në të njëjtën datë është sjellë një sasi e mallit në depo por që nuk është pranuar formalisht.

Në raport thuhet se kamerat janë vendosur, por nuk janë funksionale pasi mungon dhoma e monitorimit.

“Në bazë të intervistës të bërë me menaxherin e kontratës është bërë montimi i kamerave në klinika dhe raporte por nuk janë funksionale sepse dhoma e monitorimit nuk ekziston, sipas kërkesës nga njësia kërkuese nuk është paraparë një projekt për funksionalizimin e dhomës për monitorim”, thuhet më tej në raport duke mos u sqaruar nëse dhoma e monitorimi ishte përgjegjësi e QKUK-së për tu realizuar.

Në raportin e Auditorit thuhet se mungojnë disa prej pajisjeve që kanë qenë pjesë e kontratës.

“Nuk është finalizuar puna sipas kontratës. Nuk është bërë montimi i Akceskontrolleve, Instalimi infrastrukturës dhe I pajisjeve, shtrirja e kabllove dhe pajisjeve të tjera përcjellëse, furnizimi, konfigurimi deri në finalizim- Testimi në kushte reale të punës me funksionalitet të plotë ndërsa janë paguar mjetet në tërësi”, thuhet në raport.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat