U dorëzuan për copëtimin e Kosovës, tash për asociacionin / Ata duan t’ia bëjnë shërbimin e fundit Hashim Thaçit

Aktuale

U dorëzuan për copëtimin e Kosovës, tash për asociacionin / Ata duan t’ia bëjnë shërbimin e fundit Hashim Thaçit

Nga: Idriz Morina Më: 1 shkurt 2022 Në ora: 18:57
Vuçiqi dhe Thaçi me dy variante për ndarje të Kosovës, me marrëveshje direkte apo me asociacion

Ndërkohë, që po vazhdon vizita e të dërguarit amerikan për Ballkanin, Eskobarit, dhe tashmë bashkë me ambasadorin amerikan Jeffry Hovenier, e kanë zbërthyer enigmën e ‘asociacionit’, si një bashkim, të komunave serbe, që nuk mund të cenojnë asnjë interes fundamental të shtetit të Kosovës, edhe njëherë u shfaqën zërat për lëshime nga institucionet tona.

Pse po ndodhë kjo?

1. Ata zyrtarë të lartë shteti, e kanë hallin që të mos hetohen, denoncohen apo goditen nga shoqëria. Kjo për shkak se kanë qenë përgjegjës për nënshkrimin e marrëveshjeve në dëm të Kosovës, dhe nuk kanë më argumente për të ushtruar presion ndaj institucioneve duke ushtruar presin publikë, pas qëndrimit të ambasadorit amerikan Hovenier, se Kosova duhet të vendosë vetë për Asociacionin dhe se për një zgjidhje duhet të ofrojë një propozim. Pra, duke treguar mirëkuptim, që Qeveria dhe Presidenca, po këmbëngulin që një marrëveshje e re, dhe e detyrueshme për zbatim, nuk mund të cenojë tri parimet thelbësore: Sovranitetin, Territorin dhe Kushtetutën.

2. Ky është presion për të larë apo shpëtuar ndërgjegjen e tyre. Ata duke e nxitur dhe shtyrë, Qeverinë dhe Presidencën që të bëjë të njëjtën gjë që kanë bërë ata, do ta shpëtonin shpirtin e tyre para atdheut.

3. Ata po ashtu duan t’ia bëjnë shërbimin e fundit Hashim Thaçit, dhe ta shpëtojnë atë nga zhytja e rëndë kriminale ndaj atdheut. Ta nxjerrin të pastër të paktën në çështjen e asociacionit, ani pse ai është arkitekti i bisedimeve dhe lëshimeve të derisotme, pasi e pranoi projektrezolutën e BE-së, të miratuar më pas në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, pa rezistencë dhe me përmbajtje në kundërshtim me vendimin e GJND-së dhe të vetë Kushtetutës së Kosovës. Këtë e bëri në emër të mashtrimit të madh, se bisedimet do të ishin teknike. Ndërsa, nga viti 2013 kemi nënshkruar marrëveshje politike!

Ajo, që nga dje nuk po i dëgjojmë më brohoritësit e ndarjes së Kosovës, është, se mbështetësit e verbër të Thaçit, nuk po kërkojnë më që të ndahet Kosova, në emër ‘të shkëmbimit të territoreve’. Disa prej tyre, si Valon Murati, të dorëzuar, mbrëmë në RTK thanë, se edhe nëse shskëmbimi nuk do të ndodhë tash, ai një ditë do të ndodhë, mbase pas 20 vitesh.

Pra, kjo tregon se ata tashmë janë përfundimisht të humbur. Falë qartësimit të pozicionit amerikan, përkatësisht të vendimeve të Presidentit Biden, nga Ambasadori Hovenier, i cili tha se flasin kot, kontestuesit e pavarësisë, për të cilën gjë kemi shkruar pak ditë më parë.

Mund të stigmatizohen si tradhtarë

Tash mbështetësit e Thaçit janë në hall, sepse përfundimisht mund të stigmatizohen si tradhtarë dhe mbështetës të interesave të Serbisë, duke iu bindur për shumë vite politikave të gabuara rëndë të Hashim Thaçit.

Enver Hoxha, tha sot se ai kërkon që të zbatohet marrëveshja e asociacionit, ashtu siç është nënshkruar kur, ai ishte ministër i Punëve të Jashtme. Pra, në kohën kur politika e jashte dhe marrëveshjet ndërkombëtare nuk mund të nënshkruheshin dhe miratoheshin në Kuvend, pa mbështetjen e tij.

“... Kosova ka nënshkruar një marrëveshje në 2013-n kur unë kam qenë Ministër i Jashtëm i Kosovës! ... Nuk kam ndryshuar qëndrimin edhe sot për të gjitha marrëveshjet e arritura! Por, mendoj kjo, Asociacioni duhet të jetë pjesë e marrëveshjes për njohje të ndërsjellë dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB!”

Pra, ai argument e ka faktin emotiv personal, se nuk ka ndryshuar qëndrim. Por, ne nuk e dimë, se pse ai nuk ka ndryshuar qëndrim, sepse nuk e ofron asnjë argument. Përkundrazi, ai vazhdon të flasë, duke zbuluar vetëm anën subjektive, dhe asnjë fjalë për brengën e shqiptarëve, tashmë gati 9 vjeçare, të marrëveshjes së dëmshme për një asociacion.

Të vetmen gjë pozitive që e thekson është ideja parabolike, se me asociacion e me marrëveshje me Serbinë, Kosova do të bëhej pjesë e OKB-së, edhe pse për këtë nuk ka askush asnjë garancion. Sepse hyrja në OKB nuk bëhet me leje apo pranim të Serbisë, por me vendim edhe të Rusisë e Kinës, si anëtare të pesëshes së përhershme të Këshillit të Sigurimit me të drejtë vetoje. Ne nuk mund të anëtarësohemi në OKB, asnjëherë, derisa Rusia dhe Kina nuk e ndryshojnë qëndrimin ndaj shtetit të Kosovës.

Në fakt, që të dyja konceptet janë ezoterike, sepse askush nuk e ka asnjë dëshmi, madje nuk ekziston asnjë deklarim i Serbisë, se ajo do ta pranojë Kosovën si shtet, nëse Kosova e pranon, qoftë edhe asociacionin me kompetenca ekzekutive.

Madje si duket nuk është duke funksionuar fare as kushti i Gjermanisë, se Serbia nuk mund të hyjë në BE pa e njohur Kosovën, sigurisht duke iu kundërpërgjigjur në kanale diplomatike se ajo është më e gatshme të mbetet ‘neutrale’, e hapur për Rusinë dhe Kinën!

Hoxhaj, që e kujton me krenari marrëveshjen e Vjenës, nuk është i saktë dhe as korrekt, kur e përmend atë, pavarësisht që ajo u bë shkak për të fituar Pavarësinë. Serbia nuk e pranoi, pavarësisht avancimit të të drejtave të serbëve në mënyrë të jashtëzakonshme, po ashtu ajo nuk e ka zbatuar thuaja asnjë marrëveshje të nënshkruar në Bruksel, po ashtu pavarësisht avancimit të të dretave të serbëve në Kosovë.

Pra, ajo si duket nuk është e gatshme të pranojë asnjë marrëveshje, përveç se nëpërmjet bisedimeve të drejtat e serbëve, të kalojnë në supremaci ndaj shqiptarëve dhe ndaj vetë shtetit të Kosovës. Pra, që nëpërmjet kompetencave të tyre, Serbia ta vë nën kontroll shtetin e Kosovës.

Prandaj, është në moralin politik, dhe në të drejtën e shqiptarëve, që serbëve t’mos u ofrohet bash asnjë gjë, që favorizon apo krijon parakushte për organizime që sfidojnë sovranitetin e Kosovës, pas 10 apo 20 vitesh!

Duke analizuar më tej hallet e ish-ministrit, që korrespondojnë realisht me hallet e të gjithë ish ministrave, që kishin përgjegjësi për çfarësinë e marrëveshjeve që i pranuan, si për demarkacionin etj., ata si e thamë në fillim, po mundohen të shfajësohen, që Qeveria dhe Presidenca me qëndrimet e tyre, t’mos ua rrëzojnë atyre “dinjitetin”.

“Shqetësimi tek të gjitha marrëveshjet në Bruksel është se Kosova po del joserioze dhe jokredibile për të zbatuar marrëveshjet që ka nënshkruar! Kur një vend nënshkruan marrëveshje dhe nuk i bënë përshtypje fare qeverisë t’i zbatojë ato, mendoj se është shumë e dëmshme politikisht”, thotë ish ministri Hoxhaj, dhe ish kryetar në detyrë i PDK-së.

Mbi të gjitha interesat personale

Ky hall, që na zbulon ai, është krejtësisht personal. Sepse shteti nuk mund ta vë në dyshim ekzistencën e tij, për shkak të disa politikanëve të dështuar, që siç e shpjegon pasuesi më lart, e kanë gjithmonë hallin personal.

Pra, edhe kur abuzohet me shtetin, ata mendojnë se duhet të mbesin gjërat ashtu siç kanë qenë.

Edhe këto deklarime të Hoxhajt dhe të tjerëve, argumentojnë nevojën, që siç kemi kërkuar ne të paditen dhe hetohen ish-kryeministrat, por si duket, duhet të hetohen edhe ish-ministrat!

Nisur nga këto, çka do të mund të thotë tashmë Baton Haxhiu, kryekoka e realizimit të projekteve antikombëtare, Edi Rama, Vlora Çitaku, deputeti Kastrati, dhe dhjetëra eksponentë të zëshëm në politikë dhe në media, të projektit për copëtimin e Kosovës!

Sigurisht që ata po heshtin, edhe pak ditë, sa të harrohen pak qëndrimet amerikane, dhe të gjejnë ndonjë mbështetje në eter, për ta rikthyer në media e tyre sërish zhurmën dhe mbase bashkë me të edhe interesat ruso-serbe, pasi për më shumë se një dekadë na kanë gënjyer se ishin kërkesa të perëndimit dhe të Amerikës!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat