Ky është ish-deputeti i cili i pari e refuzoi marrjen e pagesave të shpenzimeve për udhëtime

Aktuale

Ky është ish-deputeti i cili i pari e refuzoi marrjen e pagesave të shpenzimeve për udhëtime

Më: 4 shkurt 2022 Në ora: 15:19
Blerim Grainca

Në vitin 2015, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Blerim Grainca, i kishte dërguar një letër Sekretarit të Kuvendit të Kosovës duke kërkuar që ta largoj nga lista e kompensimit për shpenzimet e karburantit ngase ai formalisht ishte banor i Ferizajt, mirëpo jetonte në Prishtinë.

Ai nuk dëshironte të përfitonte mjete financiare nga udhëtimet të cilat nuk i realizonte.

Grainca që në këtë legjislaturë nuk është deputet, u rekomandon subjekteve politike që të heqin dorë nga kjo praktikë.

Në një përgjigje thotë se veprimi i tij ishte i sinqertë dhe se nuk kishte ndodhur për shkak të ndonjë presioni.

“Kam vlerësuar se nuk është korrekte nëse jeton dhe banon në Prishtinë merr kompensim për udhëtimin. Kam vepruar në bazë të bindjeve të mia personale dhe në bazë të edukatës familjare sepse isha zotuar për mbrojtjen e interesit të qytetarëve.

“Tash ligji u lejon të marrin ato kompensime për udhëtime mirëpo nuk është logjike që nga buxheti i shtetit të paguhen ato shpenzime të cilat i bëjnë deputetët”, ka thënë ai.

Thotë se shoqëria nuk i sheh me sy të mirë deputetët ngase tashmë është krijuar një perceptim jo i mirë, për shkak të veprimeve që kanë ndodhur në të kaluarën.

“Ka shumë deputetë të ndershëm dhe punëtor që i mbrojnë interesat e qytetarëve. Mirëpo roli i deputetëve është dehumanizuar dhe ka kohë që flitet në një sens negativ. Ashtu siç kam vepruar unë ashtu duhet të veprojnë edhe të tjerët”, është shprehur ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat