3 mijë e 33 persona kanë vdekur nga Koronavirusi deri tani në Kosovë

Aktuale

3 mijë e 33 persona kanë vdekur nga Koronavirusi deri tani në Kosovë

Më: 4 shkurt 2022 Në ora: 23:37
Foto ilustrim

Qeveria e Kosovës vendosi të premten lehtësimin e masave kufizuese, pas vlerësimeve se situata epidemiologjike paraqitet e qëndrueshme dhe është shënuar rënie e rasteve të reja të të prekurve nga COVID-19.

Masat e lehtësuara pritet të hyjnë në fuqi nga e shtuna.

“Hyrja në Kosovë lejohet për personat që posedojnë certifikatën e vaksinimit me dy vaksina apo me një nëse është nga Johnson & Johnson, vetëm me një dozë bashkë me testin PCR ose është testuar negativ gjatë 48 orëve të fundit. Hiqet obligimi i mbajtjes së maskës në hapësira të hapura ndërsa mbetët në hapësirat e mbyllura. Kufizimi i qarkullimit do të jetë nga ora 12 e natës deri në ora 5 ndërsa gastronomia do të punojë deri në orën 23, lejohet aktiviteti i bibliotekave dhe hapen palestrat”, tha ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi.

Të premten, autoritetet thanë se një person ka humbur jetën ndërsa janë regjistruar 1 mijë e 853 raste të reja infektimesh. Një javë më parë ishin regjistruar 3 mijë raste të reja në ditë.

Ministria e Shëndetësisë tha se numri i të infektuarve u konfirmua pas më shumë se 9 mijë e 253 testeve dhe afër 20 për qind e të testuarve dolën pozitiv, një ulje krahasuar me një javë më parë kur pozitiviteti ishte rreth 25 për qind.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se trendi i rasteve të reja po bie për të gjashtën ditë me radhë dhe se aktualisht është 31 për qind më i ulët se sa në ditët me raste të larta infektimesh.

“Gjatë ditëve në vijim mund të shohim një rritje të spitalizimeve, fatkeqësisht edhe humbje të jetës, mirëpo falë masave të marra dhe bashkëpunimit të shkëlqyeshëm ndërmjet institucioneve shtetërore dhe qytetarëve të Republikës, është tashmë e qartë se Kosova do të shpëtojë prej pasojave të rënda të cilat disa vende të rajonit dhe botës janë duke i pësuar për shkak të variantit Omicron. Duke u bazuar në këtë perspektive më të favorshme epidemiologjike në krahasim me dy javë më parë, komisioni këshillëdhënës dhe komiteti për koordinim dhe vlerësim, kanë rekomanduar një zbutje të lehtë dhe graduale të masave kufizuese”, tha kryeministri Kurti duke bërë thirrje që qytetarët të vazhdojnë të vaksinohen meqë ajo është masa më e rëndësishme për të parandaluar valë të reja infektimesh.

Vetëm gjatë muajit janar janë regjistruar rreth 44 mijë raste të reja infektimesh. Aktualisht mbi 31 mijë raste mbeten aktive.

Që nga shfaqja e pandemisë gati dy vjet më parë, tre mijë e 33 persona kanë humbur jetën nga pasojat e koronavirusit./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat