U zbulua aleanca e fshehtë e Bukoshit, po e mbron Thaçin në Hagë / E “Zabunin” e donte vetëm të vdekur

Aktuale

U zbulua aleanca e fshehtë e Bukoshit, po e mbron Thaçin në Hagë / E “Zabunin” e donte vetëm të vdekur

Nga: Idriz Morina Më: 6 shkurt 2022 Në ora: 15:14
Hashim Thaçi duke ia dorëzuar Bujar Bukoshit dekoratën me motivimin si Kryeministri i parë, pjesëmarrës në Rambuje

Duke gjurmuar qëndrimet e politikanëve shqiptarë, jo vetëm në lidhje me pozicionet ndaj institucioneve, por edhe në raport me ngjarjet negative, sa më shumë kalon kohë, zbulohen më shumë keqfunksionime, pabesi, intriga, shantazhe. Të gjitha në një drejtim, kundër të pathyeshëmve në betejën për Pavarësi!

Edhe vetëm një pyetje qartëson këtu më shumë se çdo gjë! E kush ishin dhe me kë ishin ata, që i luftonin “të pathyeshmit”!?

Ashpërsi, rrezikshmëri, para

Më shumë përplasje, më shumë heshtje, dhe më shumë mungesë vullneti për ta vazhduar jetën institucionale në “Shtetin paralel”, të cilin e mbanin në këmbë kryesisht, aparati institucional lokal, këtë se them unë i pari, e kanë thënë dëshmitarë të kohës intelektualë, e kanë thënë edhe ata vetë që e kanë mbajtur përsipër këtë barrë.

Me afrimin e luftës e shohim, se shumë nga ata që ishin bashkëpunëtorë të Rugovës do të vazhdojnë të dorëzohen, dhe të tërhiqen nga forcat, që në terren tregojnë ashpërsi, rrezikshmëri, pas luftës ia shtojnë edhe një komponent, fitimet, burime financimesh.

Por, presidenti Ibrahim Rugova, mbeti i papërkulur në vizionin e tij, për shtetin, lirinë dhe demokracinë.

Atë që kam parë unë tek Presidenti, mbetet dominancë e përhershme. Liria. Nga konceptimi thelbësor i lirisë personale, të individit, kalon në lirinë e përgjithshme të një shoqërie, një populli, një kombi, dhe bëhet ligjësi universale.

Ashtu siç e kam përdorur në vazhdimësi, në më shumë se 15 vite, si për të krahasuar qëndrimet e tij politike dhe të kundërshtarëve të tij, po ashtu në raport me fuqitë ndërkombëtare, konceptin e psikologjisë sociale, ‘obediencën’, që më shumë se si e tillë, rezulton një teori e vërtetuar, nga të paktat, e të vetmuara, në mënyrë eksperimentale, Rugova, bënte pjesë pikërisht në grupimin, që për lirinë e tyre, nuk i binden-nënshtrohen asnjë autoriteti të jashtëm.

Ndërprerja e financimit të Presidencës dhe grupimeve për luftë nën kupolën institucionale

Në raport me fatin e Kosovës ishte i pakompromis, edhe kur përgjigjej në heshtje.

Po ashtu duke i njohur shkëlqyeshëm teoritë e komunikimit, dhe veçmas të semiotikës, si dhe njohjet e shkencave të tjera si studiues letërsie, si historinë, etnologjinë etj., ai do të krijojë parimet e përcaktueshmërisë tejkohore, të politikave të tij, që ende as sot politika shqiptare, as në Kosovë, as në Shqipëri, as nuk po i standardizon dot, dhe as nuk duket se e ka në plan. Më shumë i janë dorëzuar stihisë dhe autoritetit të jashtëm apo edhe të huaj.

Por, këto atribute nuk iu pranuan ose nuk iu njohën nga jo pak njerëz afër tij, apo duke qenë në struktura, të cilat duhej t’i bindeshin atij, si në Qeverinë e Kosovës, që gjendej në ekzil, e cila megjithëse ndodhej në mërgim, dhe e kontrollonte plotësisht buxhetin, vepronte si një qeveri kryengritëse.

Kështu Bujar Bukoshi, ia kishte ndërprerë financimin grupeve të angazhuara nga Ministria e Mbrojtjes, në krye të të cilave ishte Sali Çeku, si veprues në terren. Po ashtu ia ndërpreu në mënyrë të paligjshme dhe antikushtetuese, pra kaçakçe, financimin Presidencës së Kosovës. Krijoi aleanca me grupimet e majta në perëndim dhe në Kosovë, me shpresë për ta rrëzuar Rugovën.

Sipas Kushtetutës së Kaçanikut, mbi të cilin akt, u mbajtën zgjedhjet nacionale dhe presidenciale dhe u krijuan institucionet e Republikës së Kosovës, Kuvendi, Presidenti dhe Qeveria, sistemi ishte Republikë presidenciale, ku i gjithë pushteti është i koncentruar në Presidentin, sipas të cilit model, Qeveria i jep drejtpërdrejt llogari Presidentit.

Por, Bujar Bukoshit nuk i interesonte Kushtetuta, kishte ambicie të tjera.

Betejën e kishte kundër Rugovës

Në Pressing në T7, në 2019 deputeti i VV-së, Rexhep Selimi ka deklaruar se Bukoshi kishte kërkuar nga UÇK-ja bashkëpunim kundër Rugovës. “Bukoshi ka kërkuar prej nesh njëfarë bashkëveprimi kundër Rugovës. Mënyra ka qenë jo fort etike”, ka thënë Selimi atëherë.

Por, atëherë shumë veta u munduan ta marrin në mbrojtje Bukoshin, dhe nëpërmjet tij edhe Isa Mustafën, sepse edhe paratë kur iu ndaluan Rugovës, edhe kur me paratë e Republikës së Kosovës, që grumbulloheshin me fondin e 3 për qindëshit, ishte bashkëpërgjegjës edhe ish-ministri i Financave, i asaj kohe.

Ndërsa, edhe më të rënda janë akuzat të bëra nga Shaban Muja në një intervistë të dhënë, vite më parë, ku ka deklaruar hapur, se “Bukoshi, na kërkonte ta vrasim Zabunin dhe Belben. Më vonë e kuptova se Zabuni ishte Rugova, ndërsa Belba ishte Fehmi Agani. E kishim kusht nëse donim të financonte”.

Bukoshi i pyetur për akuzat e Shaban Mujës, kishte thënë se nuk e kishte takuar.

Por, të premten në Hagë, avokatët e Thaçit e citonin deklaratën e Bukoshit si dëshmi të fshehur nga prokuroria, që e favorizonte Hashimin Thaçin dhe grupin e tij, dhe që mund të ndikonte në lirim nga paraburgimi.

Nëse nuk është kështu si thanë avokatët atëherë Bukoshi le ta bëjë publike deklaratën e tij.

Bujar Bukoshi pas luftës pranoi të bëhej zëvendës i Hashim Thaçit, pa kompetenca, por Rugovën se duronte të parin e shtetit edhe pse vetë ishte Kryeministër fuqiplotë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat