Agresioni rus në Ukrainë, vjen thirrja për diplomacinë e Kosovës

Aktuale

Agresioni rus në Ukrainë, vjen thirrja për diplomacinë e Kosovës

Më: 26 shkurt 2022 Në ora: 10:46
Ilustrim

Ndërhyrja ushtarake ruse në Ukrainë konsiderohet se mund të rrezikojë destabilizimin e Ballkanit Perëndimor. Për të qenë të përgatitur për çfarëdo cenimi të sigurisë, institucioneve kosovare iu kërkohet një dinamikë më e madhe të politikës së jashtme dhe forcim të pozicionit me aleatët dhe veçmas me NATO-n.

Njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare thonë për Kp se vendi në këto momente duhet të bëjë përpjekje më të madhe diplomatike për fuqizim ndërkombëtar.

Profesori universitar, Dritëro Arifi thotë se ndërhyrja ushtarake ruse në Ukrainë mund të ketë ndikim në Bosnje e Hercegovinë, Mal të Zi dhe Kosovë.

Arifi: Agresioni rus mund të ketë ndikim edhe në Ballkanin Perëndimor

“Po flasim për një krizë ndërkombëtare që mund të dëmtojë procesin dhe rendin ndërkombëtar, ku bazohet në vlerat liberale dhe shtete të pavarura, ku shtetet e fuqishme nuk cenojnë dhe pushtojnë vendet e tjera të pavarura. Ka qenë një mirëkuptim ku të gjitha shtetet anëtare të OKB-së janë pajtuar për një gjë të tillë. Ripushtimi i dytë që po i bënë Rusia Ukrainës e ka disbalancuar komplet sistemin ndërkombëtar dhe rrjedhimisht do të ndryshojë rrjedhoren e Ballkanit. Këtë rast se çfarë impakti do të ketë në Ballkanin Perëndimor kjo do të shihet në ditët në vazhdim... Problemet kryesore dhe pikat e dobëta në Ballkanin Perëndimor janë Bosnja dhe Hercegovina, Republika Serbe që paraqet rrezik të madh atje, varësisht si do të rrjedhin ngjarjet, pastaj e kemi një Mal të Zi jostabil për shkak të komunitetit serb dhe besohet se elementet e sigurisë në Malin e Zi i kontrollon komuniteti serb dhe kjo është një rrezik edhe për një vend të NATO-s siç është Mali i Zi dhe dihet se Kosova është fragjile pasi ka një komunitet të mirë serb, sidomos në veri, ku prezenca jonë atje nuk është shumë e madhe”, thotë ai.

Edhe ish-ambasadori i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Avni Spahiu thotë se në këto rrethana, Kosovës i duhet një njohje e plotë ndërkombëtare.

Spahiu: Kosovës i duhet një dinamizëm më i madh i politikës së jashtme

“Na duhet një dinamizëm i (politikës së jashtme) dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme. Unë mendoj se në kuadër të qeverisë, MPJD duhet të jetë ministria më e fortë dhe më e përgatitur, pasi gjendemi në një moment kyç ku Kosovës i duhet njohje e plotë ndërkombëtare në aspektin e sovranitetit të saj dhe njohjes si shtet. Prandaj është koha që ne të bëjmë një përpjekje më të madhe edhe me miqtë tanë. Pasi ne jemi në një pasivitet të panevojshëm dhe të pakuptueshëm pasi diplomacia jonë mund të bëjë më shumë, pasi kemi kapacitete”, thotë Spahiu.

Krahas këtyre, profesori Arifi thotë se institucionet në vend duhet të kërkojnë ndihmë për forcim të ushtrisë.

Megjithatë, ai nuk është shumë optimist për mundësitë e anëtarësimit të Kosovës në NATO, pavarësisht rrethanave aktuale.

Arifi: Të kërkohet ndihmë ushtarake për forcim të ushtrisë

“Politika e jashtme krejt tash çka duhet të bëjë është të kërkojë ndihmë ushtarake menjëherë që të fuqizohet ushtria, por edhe me forca vetanake dhe ndihmë konkrete, sidomos nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës... Tash është jashtëzakonisht vonë çka mund të bëjë Kosova në diplomaci, pasi mos të harrojmë po flasim për një konflikt ndërkombëtar dhe ne jemi një problem i parëndësishëm. Por kjo është në dorë të vendeve të NATO-s dhe BE-së se a dëshirojnë të njohin Kosovën, ata realisht është dashur dje të njohin Kosovën dhe t’i hapin rrugën për anëtarësim në NATO”, thotë ai.

Pas disa muajsh provokime, mëngjesin e 24 shkurtit, Rusia ndërhyri ushtarakisht në Ukrainë, ku po zhvillohet luftë frontale ndërmjet dy vendeve.

Ndërhyrjen ruse e dënuan vendet perëndimore dhe aleanca trans-atlantike duke vendosur edhe sanksione ndaj shtetit rus. Njëjte vepruan edhe institucionet e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat