​Marrëveshja për mossulmim me Serbinë konsiderohet si “derë” e vogël drejt marrëveshjes finale

Aktuale

​Marrëveshja për mossulmim me Serbinë konsiderohet si “derë” e vogël drejt marrëveshjes finale

Më: 27 shkurt 2022 Në ora: 10:43
Dialogu në Bruksel

Marrëveshja e paralajmëruar për mossulmim të njëra-tjetrës në mes Kosovës dhe Serbisë, konsiderohet vetëm si “derë” e vogël drejt marrëveshjes finale. Megjithatë, nga opozita e njëjta shihet edhe si mbulim i dështimit një vjeçar të dialogut.

Nevojën e marrëveshjes siç është quajtur edhe e “mirëbesimit” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk pranuan ta komentojnë nga Qeveria e Kosovës dhe Bashkimi Evropian, në kohën kur Rusia po bënë agresion ushtarak në Ukraninë.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri thotë se akti i mirëbesimit është një veprim që palët konfirmojnë se procesin do ta mbyllin me mirëbesim dhe mjete paqësore.

Sipas tij, gjithçka që në raportin Kosovë-Serbi bëhet e obligueshme, është veprim i mirë.

Haziri: Marrëveshja e mirëbesimit është vetëm derë e vogël për të hyrë në procesin e madh

“Marrëveshja e mirëbesimit është vetëm derë e vogël për të hyrë në procesin e madh dhe për t’i mbuluar këto dështimet që kanë ndodhur brenda 1 viti. Pasi të futesh në një akt mirëbesimi është një veprim që palët konfirmojnë se procesin do ta mbyllin me mirëbesim dhe mjete paqësore. Vullneti është dhe ekziston. Gjithçka që në këtë raport bëhet e obligueshme, le të themi është veprim i mirë, por Kosova dhe Serbia tash e sa vite i kanë parimet e njohura ndërkombëtare dhe të pranuara për bisedime. Po shkojmë drejtë një mbyllje të procesit që duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellët përfundimisht”, thotë ai.

Nga ana tjetër, njohësi i procesit të dialogut, Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, shpreh mëdyshje për një marrëveshje të tillë, pasi thotë se ka deklarata të ndryshme nga Kosova dhe Serbia për ujdinë e mossulmimit.

Megjithatë, ai shton se ekziston një shtytje e BE-së që të ketë rezultate në dialog.

Fetahu: Është një shtytje e BE-së të ketë rezultate konkrete

“Deklaratat janë të ndryshme nga Serbia dhe nga Kosova, por ndoshta është një shtytje e Bashkimit Evropian që të ketë një rezultat konkret pas një pauze të gjatë të mostakimeve të Kosovës dhe Serbisë. Duke marrë parasysh dialogun, nuk mund të eliminojmë asnjë skenarë, apo befasi që mund të del”, thotë Fetahu.

Kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi ka thënë javë më parë se po negociojnë me Serbinë marrëveshjen për mossulmim të njëra-tjetrës.

Madje një marrëveshje e tillë nga ana e BE-së është quajtur si e mirëbesimit, ku do të hynte si pikë edhe çështja e të pagjeturve.

Kryeministri Albin Kurti vitin e kaluar ka propozuar nënshkrimin e një deklarate të paqes me Serbinë, ku njëra prej gjashtë pikave ishte edhe mossulmimi i njëra-tjetrës ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat