​Mehaj reagon ndaj deklarimeve të Vulin kundër anëtarësimit të Kosovës në NATO

Aktuale

​Mehaj reagon ndaj deklarimeve të Vulin kundër anëtarësimit të Kosovës në NATO

Më: 4 mars 2022 Në ora: 22:15
Armend Mehaj

Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj ka thënë sot se deklarata kërcënuese dhe tentim shantazhi i ministrit të Brendshëm serb Aleksandër Vulin, pas kërkesës për anëtarësimin e Kosovës në NATO, është alarm serioz për vendet anëtare të NATO-s dhe të gjitha vendet e botës demokratike që sot janë rreshtuar në anën e duhur të historisë.

Në një postim në Facebook, ministri Mehaj ka kërkuar nga autoritetet vendimmarrëse të NATO dhe BE-së të dënojnë qëndrimin destruktiv të Vulinit, që nënkuptohet edhe si qëndrim zyrtar i qeverisë serbe

“Kërkesa jonë legjitime dhe shumë e arsyeshme për anëtarësim me proces të përshpejtuar në NATO, e bënë edhe njëherë plotësisht të qartë, qëndrimin e vërtetë dhe pretendimet e Serbisë mbi Kosovën. Gjithçka është e qartë. Analogji absolute në mes pretendimeve absurde të Putinit për gjoja arsyen e agresionit mbi Ukrainën me pretendimet absurde të Vulinit për agresionin e mundshëm të Serbisë mbi Kosovën. Kjo është edhe një konfirmim i fuqishëm i arsyes, se pse duhet sa më shpejtë Kosova të anëtarësohet në NATO, sepse zgjatimi i Rusisë dhe Putinit mezi pret të realizoj skenarin e ngjashëm mbi vendin tonë. Qytetarët dhe miqtë e Kosovës pa dallim të të gjitha komuniteteve, të mos bien pre e kësaj gjuhe provokuese, kërcënuese dhe shantazhuese, sepse Republika e Kosovës është e sigurt, ka të qartë dhe të vendosur orientimin e saj euroatlantik, si dhe ka trasuar shumë fortë rrugën drejtë dyerve të hapura të NATO-s dhe BE-së”, ka shkruar Mehaj.

Ndryshe, ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandar Vulin, ka thënë se “shteti i tij rrezikohet me konflikt të armatosur” në rast se Kosova anëtarësohet në NATO.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat