​Qytetarët përkujtojnë veprën sublime të familjes Jashari

Aktuale

​Qytetarët përkujtojnë veprën sublime të familjes Jashari

Më: 7 mars 2022 Në ora: 19:42
Foto ilustrim

Nga Kullat e Jasharëve, shtëpisë së Salës e Hamitit dhe bunkerit të komandantit legjendar, ka nisur ndezja e flakadanëve të lirisë për të kujtuar luftën dhe sakrificën e komandantit Adem Jashari dhe mbi 50 të vrarëve të familjes së tij.

Në 24-vjetorin e rënies heroike, në Prekazin legjendar janë bërë bashkë qindra qytetarë të shumë vendeve, ku u organizua riti tradicional i ndezjes së zjarreve.

Sabit Istogu, i cili kishte raportuar nga çatia për luftën e Jasharëve, thotë se rënia heroike e tyre ka bërë kthesë në historinë e Kosovës.

Istogu: Epopeja bëri kthesën për Kosovën

"Një njeri që e ka përjetuar këtë ngjarje, që nuk ka mundësi që të vijë jo çdo vit, por edhe më shumë herë dhe ta kujtojë atë ngjarje të para 24 vjetësh dhe kjo ngjarje është më e rëndësishme që e ka bërë kthesën në historinë tonë dhe si e tillë edhe duhet të kujtohet. Mirëpo kjo është ngjarje e veçantë ndezja e flakadanëve, ndezja e zjarreve që simbolizon ndezjen e flakës së lirisë, vullnetit të lirisë anë e kënd vendit. Kështu që përkujtimi për këtë ngjarje është i veçantë, i domosdoshëm jo vetëm për mua si përjetues, por për çdo njeri që e ka shijuar lirinë sot", tha Istogu për KosovaPress.

Nga Llausha e Skenderaj, Ramë Geci thotë se 5,6 dhe 7 marsi janë datat më të rëndësishme për Kosovën.

Geci: Adem Jashari luftoi deri në fund

"Këto tri data janë legjendare, në histori janë të shënuara dhe jam i kënaqur qe gjithë kjo popullatë, këta e meritojnë. Adem Jashari ka luftuar me familje deri në momentin e fundit edhe me shokët e tij përreth", shprehet ai.

Historinë e familjes së Jasharëve, e di çdo kush. Shtatëvjeçari, Nuar Selmani nga Mitrovica ka marrë pjesë në ndezjen e flakadanëve të lirisë në Kompleksin Memorial "Adem Jashari".

Selmani: Rroftë familja Jashari

"Ka qenë një familje shumë e madhe dhe ushtria serbe e kanë vrarë 56 anëtarë dhe mendoj se është shumë keq... rroftë familja Jashari", thotë shtatëvjeçari nga Mitrovica.

Edhe Esat Aliu që vjen nga Mitrovica në manifestimin e ndezjes së zjarreve, thotë se Epopeja e UÇK-së ka filluar qysh nga viti 1991, kur janë formuar celulat e para.

Aliu: Jasharët meritojnë respektin gjithëkombëtar

"Vijmë edhe për përvjetor edhe kur është 28 nëntori, e meritojnë... jo, jo, aspak, shumë pak është punuar për ta, sidomos tani ashtu është situatë ekonomike, politike, ka ngecur. Mirëpo këtu është dashur të jetë ndryshe në aspektin kombëtar. Presim të bëhet ashtu. Nëse do të kishte çmim Nobel për luftë, këta do të duhej ta kishin të parët, janë familje që kanë sakrifikuar shumë", përfundon Aliu.

Në vendin ku pushojnë trupat e Jasharëve të vrarë me 5, 6 dhe 7 mars 1998, është organizuar riti tradicional simbolizues "Nata e Zjarreve", i cili shënon përfundimin e manifestimit në këtë 24 vjetor, të njohur si Epopeja e UÇK-së.

“Nata e Zjarreve” ka vazhduar me programin kulturor-artistik në sheshin “Adem Jashari” në Skenderaj. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat