Reagimi i Kuintit për zgjedhjet serbe, Vela tregon a priten pasoja për Kosovën në dialog

Aktuale

Reagimi i Kuintit për zgjedhjet serbe, Vela tregon a priten pasoja për Kosovën në dialog

Më: 8 prill 2022 Në ora: 00:06
Blerim Vela

Shtetet e Kuintit dolën me një deklaratë të përbashkët për institucionet e Kosovës për mosmbajtjen e zgjedhjeve serbe të 3 prillit, në të cilën thanë se janë të zhgënjyer lidhur me këtë vendim.

Shefi i Stafit të Presidencës së Kosovës, Blerim Vela, ka thënë se Prishtina e ka ndaluar një praktikë të keqe që ka ekzistuar më parë me mbajtjen e zgjedhjeve serbe brenda territorit të vendit.

“Problemi ka qenë vetëm tek aspekti i organizimit të procesit zgjedhor nga strukturat ilegale të Serbisë në Kosovë. Nuk kemi mundur për shkak të Kushtetutës dhe parimit të sovranitetit të lejojmë një gjë të tillë. Ne kemi bërë çdo hap t’i ofrojmë mundësi Serbisë që të kemi një marrëveshje, pastaj në kuadër të asaj marrëveshjeje të kemi edhe reciprocitet, që me rastin e organizimit zgjedhjeve të Kosovës, ku ka shqiptarë që kanë dyshtetësi të mund të votojnë edhe në procesin zgjedhor të Kosovës”.

“Thjesht, në të vërtetë Serbia, me qasjen e saj, ka treguar se është në gjendje të suspendojë demokracinë vetëm e vetëm t’i ikë realitetit të një Kosove të pavarur, t’ia mohojë të drejtën e qytetarëve me dyshtetësi të votojnë”, ka thënë Vela.

Ai ka theksuar se nuk presin ndonjë qasje ndryshe ndaj Kosovës nga shtetet e Kuintit.

“Kemi komunikim intensiv edhe pas publikimit të deklaratës edhe në nivelin e presidencës edhe të qeverisë me të gjitha shtetet e Kuintit. Vazhdon konsultimi, besoni se do të ketë prapë kthim në atë dinamikën që e kemi pasur para kësaj deklarate. Nuk presim pasoja në procesin e dialogut pas kësaj deklarate, sepse do të shihet se qasja jonë parimore vlen të shpërblehet”, ka thënë Vela.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat