Edi Rama nuk po e lejon Kuvendin ta dënojë rolin e Serbisë me Rusinë / Nuk po i dëbon diplomatët rus

Aktuale

Edi Rama nuk po e lejon Kuvendin ta dënojë rolin e Serbisë me Rusinë / Nuk po i dëbon diplomatët rus

Nga: Idriz Morina Më: 12 prill 2022 Në ora: 20:43
Edi Rama me ministrin e Jashtëm të Putinit, Sergej Lavrovin

Si është e mundur që Shqipëria të mos e dëbojë asnjë diplomat rus.

Kosova i ka dëbuar dy diplomatë që vitin e kaluar, të përfshirë në vepra armiqësore në Kosovë, përkatësisht në bashkëpunim me serbët.

Thuajse nuk ka asnjë vend perëndimor që nuk ka dëbuar disa apo një duzinë diplomatësh rus, për shkak të pushtimit të Ukrainës dhe përpjekjeve që nëpërmjet gënjeshtrave ta mbrojnë imazhin e Rusisë.

Shqipëria, është e pamundur që të mos ketë gjetur informacione që diplomatë rus në Tiranë, janë të përfshirë në veprime kundër interesave të Kosovës, por edhe të Shqipërisë, si dhe të qëndrimeve të sanksionueshme nga BE-ja.

Asnjë përpjekje për dëbimin e diplomatëve rus

Madje deri më sot nuk ka pasur asnjë përpjekje paralajmëruese për të larguar diplomatë rus, dhe asnjë qëllim për t’ia ngrirë pasuritë oligarkëve rus dhe biznesmenëve, që me të ardhurat e tyre mund ta financojnë Rusinë, në luftën pushtuese në Ukrainë.

Madje sipas disa informacioneve ka një fluks të ri biznesmenësh rus, që pasi ia kanë mësyrë në numër të konsiderueshëm fillimisht Serbisë, një pjesë e tyre kanë shkuar në Shqipëri.

Nuk mund të heshtën krimet e luftës të bëra nga Rusia. Kryerja e krimeve të luftës, siç dëshmohet me numër të jashtëzakonshëm të vrasjeve të civilëve në një interval të shkurtër, për shkak të humbjeve të panumërta ushtarake, është shqetësuese edhe për shqiptarët.

Mbajtja e një lloj proteste në Tiranë, në organizim të Veliajt, gati një muaj e gjysmë pas fillimit të luftës atje, është më shumë një përpjekje për të fshehur lidhjet, qëndrimet dhe mosmarrjen e vendimeve, që janë në favor të Rusisë.

Nëse Kosova është duke e vëzhguar zyrën e ndërlidhjes së Rusisë, duke kërkuar arsyen për ta mbyllur fare veprimtarinë e saj, nën ombrellën e UNMIK-ut, si është e mundur që Tirana të heshtë, ndaj veprimeve diplomatike të Rusisë në Shqipëri, kundër interesave shqiptare.

A mos ndoshta vërtetë Rama me kastën e tij kanë krijuar lidhje me Rusinë, siç shprehet edhe eksperti gjerman, Martin Henze.

“Kroacia dëbon 24 veta nga personeli i ambasadës ruse. Shqipëria qeveria e saj pro-ruse Rama, Veliaj, Basha, Tabaku, Alibeaj nuk bëjnë asgjë, ata pengojnë një mocion të opozitës properëndimore kundër Rusisë, kjo është tradhti ndaj Ukrainës, duhet të vihen në listë të bojkotimit”, ka shkruar ai sot në tviter.

Goditja nga Gjermania

Rama gjatë vizitës në Berlin do të ketë marrë një numër të konsiderueshme vërejtjesh nga Gjermania, përkatësisht nga kancelari Ollaf Shulc, jodomosdoshmërisht për qëndrimet e buta ndaj Rusisë.

Përveç, në mënyrë të hapur, pa petk diplomatik kur Sholc e injoroi përpjekjen e Ramës për ta paraqitur “Open Ballkan-in”, si një proces identik me atë të nisur nga ish-kancelarja Merkel, i njohur si “Procesi i Ballkanit”, në fund të konferencës për shtyp, ai e la pas, dhe pa e pritur Ramën, eci para, siç nuk ndodhë thuajse kurrë në protokollet diplomatike.

Edhe gjatë konferencës, gjuha e trupit e Ramës, dëshmonte, që edhe më keq ka shkuar takimi. Aq sa Rama, si një autokrat i vërtetë, dukej se nuk e kishte gëlltitur dot, prandaj e shprehte me pamjen e tij, thuajse të përhumbur, me fytyrën gati të mpirë.

Sipas Henzes, klani Rama, bashkë me një pjesë të opozitës janë duke e parandaluar dëbimin e një pjese të stafit diplomatik të ambasadës ruse.

“Shqipëria, qeveria Rama miqësore ndaj Rusisë, Veliaj, Basha, Tabaku, Alibeaj nuk bëjnë asgjë. Ata po e parandalojnë një diskutim për Ukrainën, parandalojnë një dëbim të stafit të ambasadës ruse. Autokrati Rama flet si Putini”, shkruan Henze.

Më shumë se një javë më parë, më 4 prill, Partia Demokratike, ku është rikthyer krahu i Berishës, e inicioi në Kuvend të Shqipërisë një Projektrezolutë për Ukrainën, madje në paratekstin e saj kërkohej edhe mbyllja e procesit të ashtuquajtur “Ballkani i hapur”, për shkak se Serbia nuk e njeh Pavarësinë e Kosovës.

Por, ende, edhe pas prezantimit të një Projektrezolute të re me 7 prill, nuk është vënë në rend të ditës nga shumica, e dominuar absolutisht nga socialistët.

Bllokimi i Kuvendit nga socialistët për të debatuar për rrezikun rus dhe rolin e Serbisë kundër Kosovës

Sipas zyrtarit të PD-së, deputetit Tritan Shehu, shumica – socialistë të komanduar nga kryeministri Rama po e bllokojnë çdo nismë diskutimi kundër agresionit rus në Ukrainë.

“Përsëri, edhe rezoluta jonë e re me debat për agresionin rus në Ukrainë, e rreziqet e interferencave të Moskës në rajonin tonë, nuk lejohet të futet në rendin e ditës së Kuvendit!”, shkruan Shehu në Fb.

Ai ankohet se pavarësisht “krimeve monstruoze të luftës të realizuara nga agresioni i tipit nazist, Kuvendi i Shqipërisë nuk lejohet të “flasë” për ato!”

Sipas Shehut, PD-ja dhe Kuvendi po pengohen të diskutojnë edhe për veprimet diplomatike kundër Shqipërisë, sikurse ka bërë Bjellorusia, duke e shpallur Shqipërinë vend “jo mik”.

Por, akoma më keq, PS-ja e drejtuar nga Rama nuk po e lejon Kuvendin të debatojë, as për rolin e Serbisë në bashkëpunim me Rusinë, dhe rreziqet për rajonin (Kosovën).

“Nuk lejohet mbi të gjitha të dënohet roli i Serbisë si “kordon umbilikal” midis Moskës dhe Evropës, nga mos aderimi në sanksionet kundër Rusisë”, thotë Shehu.

Sipas tij, është edhe më e pamundur të diskutohet kundër “Ballkanit të hapur”, i papranueshëm nga Kosova.

“Ndërsa, të mendosh të kërkosh denoncimin e “Ballkanit të hapur” është herezi!”, shpreh shqetësimin e tij deputeti Shehu.

Ky bllokim nuk po ndodhë vetëm në Kuvend, por edhe në Komisionin e Jashtëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat