Prokuroria Speciale i reagon ministres Haxhiu dhe LVV-së për rastin Dehari

Aktuale

Prokuroria Speciale i reagon ministres Haxhiu dhe LVV-së për rastin Dehari

Më: 14 prill 2022 Në ora: 15:01
Astrit Dehari

Prokuroria Speciale e Kosovës i ka reaguar Ministrisë së Drejtësisë dhe Lëvizjes Vetëvendosje, lidhur me akuzat ndaj organit të akuzës për fshehjen e pikave të plota të raportit të ekspertizës së Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë.

Në një reagim ndaj akuzave të Ministrisë së Drejtësisë, Prokuroria Speciale tha se nuk e ka komentuar raportin, “vetëm se kemi publikuar konkluzionet e raportit të ekspertizës”.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ia bënë të qartë Ministrisë së Drejtësisë, por edhe opinionit të gjerë, se ne nuk e kemi komentuar raportin por vetëm se kemi publikuar konkluzionet e raportit të ekspertizës të Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrrës, lidhur me rastin e Astrit Deharit”, tha Prokuroria Speciale.

Por, Prokuroria Speciale ka mohuar manipulimin e provave të prezantuara në raportin e ekspertizës së Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë.

Sipas Prokurorisë, ajo “në asnjë mënyrë nuk ka manipuluar me prova, por vetëm se ka prezantuar mendimin dhe konstatimin e ekspertëve të Institutit të Mjekësisë Ligjore të Lozanës në Zvicërr”.

“Andaj, pretendimet tendencioze dhe dashakeqe të Ministres së Drejtësisë, karshi Prokurorisë Speciale janë të paqëndrueshme si dhe kanë për qëllim dezinformimin dhe manipulimin e opinionit publik”, tha Prokuroria Speciale në reagim.

Prokuroria tha se kushdo që ka dyshim mbi këto përfundime, le t’i drejtohet Institutit të Mjekësisë Ligjore të Lozanës për informacione shtesë.

“Po ashtu, i sigurojmë opinionin se Prokuroria Speciale në asnjë mënyrë nuk do të ndikohet nga askush që pretendon të ndërhyj në këtë rast. Çfarëdo iniciative për të goditur institucionet e pavarura të drejtësisë është jo e drejtë dhe ka për qëllim që të ulë besimin e qytetarëve në institucionin e Prokurorit të Shtetit”, tha Prokuroria.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat