Vllahiu: Qeveria tregoi se është shumë e mirë në luftimin e gazetarëve, por jo të korrupsionit

Aktuale

Vllahiu: Qeveria tregoi se është shumë e mirë në luftimin e gazetarëve, por jo të korrupsionit

Më: 14 prill 2022 Në ora: 23:18
Arbër Vllahiu

Analisti politik Arbër Vllahiu ka thënë se Qeveria Kurti është treguar e zonja në ‘luftën’ kundër gazetarëve, por jo edhe në atë kundër korrupsionit, për çka edhe u kritikua në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit.

“Kjo qeveri ka treguar se është shumë e mirë në luftimin e gazetarëve, por jo edhe në luftimin e korrupsionit në total. Në aspektin e komunikimit me opinionin publik, Qeveria e sotme e Kosovës ka mungesa të mëdha – nuk është transparente, komunikuese dhe nuk i përgjigjet pyetjeve të gazetarëve, si dhe ka probleme të theksuara”.

Ai, në “Rubikon”, tha se mungesa e komunikimit të Qeverisë së Kosovës me mediet dhe gazetarët është për shkak se ky komunikim kalon nëpërmes Lëvizjes Vetëvendosje.

“Kjo qeveri funksionon përmes Zyrës së Komunikimit të Lëvizjes Vetëvendosje, nuk funksionon përmes Zyrës së Komunikimit të Qeverisë së Kosovës. Qeveria nuk mund të funksionojë mbi bazën partiake”.

Vllahiu ka komentuar edhe gjetjet e tjera të raportit të DASh-it, me theks të veçantë ato për mosndëshkueshmërinë e korrupsionit në nivel të lartë për çka tha se duhet vullnet politik i veprimeve dhe jo vetëm i fjalëve.

“Emëruesi i përbashkët i krejt rajonit është mosndëshkueshmëria në luftimin e korrupsionit, posaçërisht në nivelin e lartë. Çka nënkupton korrupsioni i zyrtarëve të lartë shtetërorë? Niveli i korrupsionit të lartë është diçka që kërkon vullnet të plotë politik për ta luftuar. Pa këtë vullnet nuk mund të luftohet korrupsioni. Kemi të bëjmë me zyrtarë shumë të lartë shtetërorë, qoftë të të kaluarës apo të ditëve të sotme”.

“Vullneti do të duhej të përcaktohej në forma të ndryshme, nëse është vetëm deklarativ atëherë nuk është vullnet i veprimit apo i kryerjes së punëve. Për vullnet deklarativ i kemi parë të gjitha qeveritë e kaluara që kanë folur për luftimin e korrupsionit në Kosovë në nivele të ndryshme, përfshirë edhe atë të lartë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat