Sulmi ndaj Policëve/ Gjenerali Qehaja paralajmëron përshkallëzim të situatës në veri

Aktuale

Sulmi ndaj Policëve/ Gjenerali Qehaja paralajmëron përshkallëzim të situatës në veri

Më: 15 prill 2022 Në ora: 15:15
Ramadan Qehaja

Përshkallëzim të situatës në veri të vendit pas sulmeve që janë bërë ndaj Policisë së Kosovës, po paralajmëron gjenerali dhe ekspert i sigurisë, Ramadan Qehaja.

Qehaja thotë se tashmë dihet që situata në veri të vendit nuk është në nivelin e duhur.

“Siguria është atje shumë e brishtë dhe unë pres përshkallëzim të situatës atje aq më parë që lufta e cila po zhvillohet në Ukrainë nga Rusia dhe tentativa e Rusisë edhe më herët që ta bëjë destabilizimin e Ballkanit përmes Serbisë zyrtare e kur kësaj i shtojmë armatosjen e Serbisë me armatim rus e në kohën e fundit edhe me atë kinez flet që faktikisht situata është mjaftë e ndërlikuar dhe duhet të ndërmerren masa për çështje të sigurisë”, ka deklaruar Qehaja.

E, për gjithë situatën e sigurisë atje përgjegjës e bën KFOR-in.

“Unë jam i mendimit që kjo përgjegjësi para së gjithash bjen mbi KFOR-in sepse ata e kontrollojnë territorin, kanë kontakte me zyrtarë të armatës serbe shpesh herë, një herë në muaj takohen dhe bisedojnë për këto çështje, pra do të thotë përgjegjësia është edhe mbi ta”, është shprehur ish-gjenerali Qehaja.

Por, pavarësisht kësaj thotë se Kosova duhet edhe vet që të ndërmerr masa që të përgatisë Policinë dhe ushtrisë e saj e jo të mbështetet vetëm te KFOR-i.

“Dua të theksoj nëse ne vet nuk ndërmarrim masa vetanake me forca vetanake, do të thotë nuk e përgatisim Policinë tonë atje për detyra të cilat duhet t’i kryejnë ata nëse ka nevoje edhe detyra të karakterit ushtarak sepse po e shihni edhe vet çfarë tentativash kemi atje për destabilizim dhe ta përgatisim në mënyrë të përshpejtuar edhe Forcën e Sigurisë së Kosovës që në rast nevojë ajo të veprojë kuptohet në bashkëveprim të ngushtë me Policinë e Kosovës, me njësitet e gatishmërisë emergjente dhe me AKI-në. Ne nuk mund të mbështetemi vetëm në forca të KFOR-it atje, por duhet para së gjithash të marrim masat tona”, ka pohuar ai.

Tjetër rrugëdalje nuk ka thotë Qehaja nëse nuk ngritët gatishmëria vepruese e FSK-së dhe forcave të tjera të sigurisë.

Por, jo vetëm kjo, ai kërkon që kjo situatë të shfrytëzohet edhe në planin diplomatik.

Dhe, këtë e thotë për një arsye.

“Krahas kësaj ne duhet edhe në planin diplomatik të shfrytëzojmë edhe këtë situatë tash e jo të heshtet e të mos flitet, pro nëse ka nevojë të shkohet edhe deri në Bruksel të bisedohet me kreun e NATO-së dhe me njerëz të tjerë të BE-së, pra duhet të shfrytëzojmë rastin edhe në planin diplomatik që ta shpjegojmë çka po ndodhë sepse Serbia zyrtare është e prirë që informacionet e rrejshme t’i shpërndajë nëpër botë”, ka deklaruar Qehaja.

Më granatë dore dhe me armë AK 47 janë sulmuar Policia e Kosovës në pjesën veriore të vendit.

Ky është edhe sulmi i katërt në tri ditët e fundit që është bërë në atë pjesë ndaj Policisë së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat