Bleron Baraliu: Pushteti i ri po tmerron me standarde të dyfishta, Martin Berishaj duhet të ndiqte shembullin e Kadri Veselit

Aktuale

Bleron Baraliu: Pushteti i ri po tmerron me standarde të dyfishta, Martin Berishaj duhet të ndiqte shembullin e Kadri Veselit

Nga: A.ZH Më: 22 prill 2022 Në ora: 16:39
Bleron Baraliu

Edhe analisti i çështjeve politike Bleron Baraliu, ka reaguar për skandalin financiar, në të cilin është përfshirë ambasadori i Kosovës në Kroaci Martin Berishaj.

Baraliu, ka thënë se Berishaj do të duhej të ndiqte shembullin e ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli, duke mohuar akuzat dhe duke ofruar dorëheqje, pasi mohimi i tij lë shumë për të dëshiruar, përcjell Bota sot.

Baraliu ka kritikuar edhe presidenten Vjosa Osmani, duke kërkuar që të mos ketë standarde të dyfishta në akuzat ndaj personave publikë.

Ai ka përmendur disa raste, kur ish-pushtetarët janë akuzuar, por ende nuk është vërtetuar asgjë kundër tyre në gjykatë.

Reagimi i Baraliut në Facebook:

Mohimi i Martin Berishaj lë shumë për të dëshiruar. Duhej së paku të na tregonte a është e vërtetë që ka një llogari bankare ku është paguar nga firma serbe apo nuk ka një të tillë...

Në rrethana normale, MB duhej të ndiqte shembullin e Kadri Veselit: të mohojë akuzat dhe përkushtohet të ndjekë drejtësinë deri në fund përderisa të ofrojë dorëheqjen që barra e akuzave në ndërkohë të mbetet mbi të si person e jo si diplomat shtetëror.

Në anën tjetër, siç theksoi një mik imi, nëse Presidentja i besoka çorrazi/pa hulumtim shtesë ambasadorit, përse të mos i besoj/besonim Pal Lekajt, Adem Grabovcit, Isa Mustafës, Hashimit, Fatmirit, Ramushit e kështu me radhë - sidomos pasi që asgjë nuk është vërtetuar në të kundërtën kundër tyre në gjykatë?!!! Përse këta ishin 'hajna' e 'zhvatës' sipas diskursit të ish opozitës, ndërsa tani bëka t'ia falim dyshimin mbi pafajësinë dikujt tjetër?!

Unë jam që njerëzit mos t'i kryqëzojmë kurrsesi përderisa nuk kemi arritur t'i gjejmë të fajshëm përtej çdo dyshimi të bazuar, por edhe më me ngulm jam për konsistencë dhe trajtim të barabartë - e jo standarde të dyfishta. Deri më tani pushteti i ri po na tmerron me standarde të dyfishta dhe ledhatim të të vërtetave e fakteve.

Për fund, KM dhe Presidentja duhej të prononcoheshin një çast e më parë mbi dyshimet e supozuara për skandal, pavarësisht vërtetësisë së tyre, e jo të heshtin a reagojnë në mënyrë defansive dhe kryqëzojnë një gazetar pse shtron pyetjen. Të gjithë kemi të njëjtën pyetje - pasuar nga kërkesa shtesë: na dëshmoni se ju jeni ndryshe nga pushtetet e kaluara!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat