Presidenca: Ambasadori Berishaj të thirret në Kosovë për të sqaruar situatën

Aktuale

Presidenca: Ambasadori Berishaj të thirret në Kosovë për të sqaruar situatën

Më: 22 prill 2022 Në ora: 17:56
Martin Berishaj

Presidenca e Kosovës ka reaguar pas lajmit për ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishajt, i cili po akuzohet se është i përfshirë në një skandal financiar për shpëlarje parash në Slloveni.

Në një njoftim për media nga Presidenca kanë thënë se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka kërkuar që ambasadori Berishaj të thirret në Kosovë për të sqaruar situatën lidhur me të.

“Njoftojmë qytetarët se Presidentja tashmë ka kërkuar, në komunikim me Ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, që nga Ambasadori Berishaj të kërkohet raport me shkrim lidhur me artikullin në një medie në Slloveni dhe po ashtu që Ambasadori Berishaj të thirret në Kosovë për të sqaruar situatën”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, sapo të sqarohet situata, presidentja bashkë me MPJ-në do të bëjnë vlerësimin lidhur me pozicionin e ambasadorit.

“Në ndërkohë, sapo të sqarohet situata, Presidentja, bashkërisht me MPJ-në, do të bëjnë vlerësimin lidhur me pozicionin e Ambasadorit ashtu siç e kanë bërë për çdo pozicion tjetër”, thuhet më tej në njoftimin e Precidencës.

Po ashtu nga Presidenca kanë thënë se asnjëherë nuk kanë marrë asnjë informatë nga institucionet e Sllovenisë po ndonjë shteti tjetër për involvimin e Berishajt në ndonjë vepër penale.

“Është me rëndësi të theksohet se institucionet e Republikës së Kosovës asnjëherë nuk kanë marrë asnjë informatë nga institucionet e Sllovenisë apo të ndonjë shteti tjetër për involvimin e z. Berishaj në ndonjë vepër penale. Në fakt, z. Berishaj ka dorëzuar dokumentacion nga institucionet e Sllovenisë se nuk ka evidencë penale”, thuhet më tej në reagim. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat