Deputeti i LVV-së: Sivjet pritet të bëhet aplikimi për anëtarësim në Këshillin e Evropës

Aktuale

Deputeti i LVV-së: Sivjet pritet të bëhet aplikimi për anëtarësim në Këshillin e Evropës

Më: 22 prill 2022 Në ora: 18:16
Agon Batusha

Deputeti i LVV, Agon Batusha ka thënë se gjatë këtij viti pritet që të bëhet aplikimi për anëtarësim në Këshill të Evropës.

Batusha tha se MPJ-ja, Qeveria dhe Kuvendi janë duke u bërë gati për të aplikuar në Këshill të Evropës, e sidomos tani kur sipas tij, kushtet janë të favorshme pas përjashtimit të Rusisë.

Ministria e Jashtme dhe qeveria por edhe parlamenti janë duke u bërë gati për të aplikuar në këshill të Evropës, sidomos tani kur kushtet janë të favorshme pas përjashtimit të Rusisë. Ne duhet t’i bëjmë disa përgatitje se kur do të jetë aplikimi këtë nuk mund ta themi saktë, por gjatë këtij viti do të jetë, aplikimi do të bëhet në koordinim me partnerët tanë, aleatët dhe gjasat janë shumë të mira që ne të jemi pjesë e këshillit të Evropës”, tha ai.

Ai thotë se nëse Kosova bëhet pjesë e Këshillit të Evropës, atëherë bëhemi pjesë edhe e Gjykatës së Strasburgut.

“Ne nëse bëhemi pjesë e Këshillit të Evropës ne bëhemi edhe pjesë edhe e gjykatës së Strasburgut i cili mbron të drejtat e njeriut ku qytetarët e Kosovës nëse janë të pakënaqur me vendimet e gjykatave të Kosovës në aspektin e të drejtave të njeriut mund t’i drejtohen edhe gjykatës së Strasburgut. Kjo është një mundësi e mirë për qytetarët tanë”, tha Batusha.

Sipas tij, institucionet e Kosovës janë në kontakte me shtetet mike dhe shtetet hezituese dhe sinjalet janë shumë pozitive dhe së shpejti do të marrim hapa drejt pranimit në Këshillin e Evropës.

“Diplomacia jonë duke filluar nga presidentja, kryeministri dhe ministrja e MPJ-së janë në vazhdimësi në kontakte me shtetet mike por edhe shtetet hezituese dhe sinjalet i kemi shumë pozitive dhe besoj se shumë shpejt do të marrim hapa të tjerë drejt anëtarësimit apo pranimit në Këshill të Evropës”, tha Batusha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat