Latifi: Kam kërkuar kompensim prej 100 mijë euro nga kryeinspektori Gojani

Aktuale

Latifi: Kam kërkuar kompensim prej 100 mijë euro nga kryeinspektori Gojani

Më: 10 maj 2022 Në ora: 10:11
Smajl Latifi

Kam ngritur një padi me vlerë prej 100 mijë euro ndaj kryeinspektorit të Arsimit në Gjakovë, Gjergj Gojanit, tha kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi.

Latifi tha se Gojani ka pretenduar se ka marrë kërcënime nga ai, mirëpo Prokuroria Themelore e ka hedhur poshtë padinë e tij.

“Ai njëkohësisht ka bërë një kallxim penal në prokurori kinse unë e kam kërcënuar atë, mirëpo Prokuroria Themelore e ka hedhur poshtë kallximin e tij penal. Pas kësaj e kam kontaktuar një avokat ku kam ngritur një padi në Gjykatën Administrative kur i kam kërkuar kompensim 100 mijë euro”, tha Latifi për emisionin “infonata”.

Sipas tij, udhëheqja e Gojanit në Gjakovë ka qenë jo korrekte, duke shtuar këtu se ai është edhe njeri i shantazheve.

Ndërkaq, tutje tha se ai ka marrë vendime të cilat janë në kundërshtim me kompetencat e ligjit për Inspektoratin e Arsimit.

“Në kohën e fushatës zgjedhore udhëheqësi i Inspektoratit rajonal të arsimit në Gjakovë, unë them kinse sepse udhëheqja e Gjergj Gojanit ka qenë jo korrekte, ai është njeri i shantazheve. Ai ka provuar të shantazhojë diçka që për mua është e papranueshme. Gojani ka nxjerrur një vendim në kundërshtim me vetë qeverisjen lokale, në kundërshtim me kompetencat e tij të ligjit për Inspektoratin e Arsimit. Më pas e kam njoftuar kryeprokurorin e prokurorisë themelore në Gjakovë”, shtoi tutje ai.

Prokuroria Themelore e Gjakovës, më 7 mars, e ka hedhur kallëzimin penal ndaj kryetarit të Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, të paraqitur nga kryeinspektori i Arsimit në Gjakovë, Gjergj Gojani.Gojani më 1 tetor kishte paraqitur kallëzim penal ndaj Latifit, duke thënë se ai e ka kanosur, pas një kërkese që ai e kishte bërë ndaj Latifit që të iniciojë procedura disiplinore ndaj drejtorit të Arsimit, Avni Morina në atë kohë.Prokuroria e ka hedhur poshtë këtë kallëzim duke thënë se ‘nuk ekziston dyshimi i arsyeshëm i kryerjes së veprës penale’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat