Prokuroria Speciale i reagon deputetit Enver Dugolli për masakrën e Dubravës

Aktuale

Prokuroria Speciale i reagon deputetit Enver Dugolli për masakrën e Dubravës

Më: 19 maj 2022 Në ora: 16:27
Enver Dugolli

Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK) i ka reaguar, deputetit Enver Dugolli, pasi që ky i fundit ka kërkuar nga Prokuroria e Kosovës që të nisë hetimet për t’i dëgjuar dëshmitë e atyre që i mbijetuan kësaj masakre, në 23-vjetorin e saj.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, hetimet në lidhje me rastin e Dubravës janë duke vazhduar, por megjithatë ky rast kishte qenë i pezulluar për shkak të mungesës së të pandehurëve.

“Prokuroria Speciale njofton opinion publik se hetimet në lidhje me rastin e Dubravës janë duke vazhduar. Për hir të korrektësisë, ju njoftojmë se fillimisht, ky rast ka qenë i pezulluar për shkak të mungesës së të pandehurve dhe ruajtjes së afatit ligjor prej 2 vitesh të hetimeve. Mirëpo, me miratimin e plotësim-ndryshimeve të Kodit të Procedurës Penale, në qershor të vitit 2021, me ç‘rast është hequr afati i hetimeve dhe është lejuar gjykimi në mungesë, dosja penale është riaktivizuar për procedurë hetimore”.

Tutje, në njoftimin e Prokurorisë Speciale thuhet se deri më tani hetimet kanë arritur të identifikojnë rreth 60 të dëmtuar të rastit të Dubravës, derisa të cilët janë intervistuar duke përfshirë këtu deputetin Enver Dugollin dhe Bedri Kukalaj.

“Në këtë fazë të procedurës, hetimet kanë arritur të identifikojnë rreth gjashtëdhjetë (60) të dëmtuar të rastit të Dubravës, të cilët janë intervistuar, duke përfshirë edhe Enver Dugollin dhe Bedri Kukalaj. Sipas shkresave të lëndës, Enver Dugolli, u intervistua më datë 06.11.2013, kurse, Bedri Kukalaj, u intervistua më datë 04.08. 2011, nga Prokurori i EULEX-it në PSRK”.

Megjithatë, 44 është numri i të pandehurve të cilët dyshohen se janë të përfshirë në kryerjen e veprës penale “Krimi i luftës kundër popullsisë civile”.

“Deri më tani hetimet kanë arritur të identifikojnë dyzetekatër (44) të pandehur të cilët dyshohen se janë të përfshirë në kryerjen e veprës  penale “Krimi i luftës kundër popullsisë civile”  e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish RSFJ-së  si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale, aktualisht i sanksionuar me nenin 146 lidhur me nenin 31 të Kodit Nr. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës ( tutje ‘’KPRK’’)”.

Në lidhje me këtë rast janë identifikuar gjashtëdhjetë (60) të dëmtuar dhe njëqind (100) dëshmitarë të cilët janë intervistuar nga organet e rendit.

PSRK tutje ka njoftuar se janë duke ndërmarr veprime procedurale hetimore me qëllim të zbardhjes në tërësi të rastit, mirëpo për shkak të konfidencialitet të procedurës, nuk mund të ndaj më shumë informacione me publikun.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat