Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti takoi drejtues të ndërmarrjeve në Zvicër

Aktuale

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti takoi drejtues të ndërmarrjeve në Zvicër

Më: 25 maj 2022 Në ora: 20:38
Pamje nga vendi i ngjarjes

Rritja e investimeve dhe shkëmbimeve tregtare ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës ishte në qendër të takimeve që Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pati në Cyrih me drejtuesit e ndërmarrjeve zvicerane.

Gjatë një dreke pune, kryeministri Kurti theksoi indikatorët pozitivë ekonomik, qeverisjen demokratike, sundimin e ligjit, fuqinë punëtore profesionale si dhe shpenzimet e ulëta operacionale si disa prej arsyeve se pse Kosova ka potencial serioz për investime të huaja. Ai po ashtu foli për marrëdhënien e veçantë ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës falë mërgatës së madhe shqiptare atje, dhe për planet dhe synimet e qeverisë për ta bërë atë pjesë integrale të zhvillimit të vendit.

Kompanitë e përfaqësuara në këtë drekë pune ishin ABB Electrification, Amberg Group, Dr. Borer Consulting, Capita Switzerland, COOP, Die Weltwoche, ManPower, Parashift, RepRisk/Forlam Ventures, Shcaffhauser Kantonalbank, SAP, Sunrise UPC dhe Sygnum Bank AG.

Ndërsa në takimin me Dr.Asgar Brockmeyer, Zëvendës Kryeshef Ekzekutiv i Grupit Stadler Rail, duke theksuar mundësitë dhe potencialin për investime në Kosovë, Kryeministri Kurti foli për qëllimin e Qeverisë për ndërtimin e infrastrukturës cilësore që redukton kohën dhe koston e udhëtimit për njerëzit dhe mallrat. Po ashtu, lidhur me integrimin e rajonit, kryeministri veçoi hekurudhën ndërmjet Prishtinës dhe Durrësit në Shqipëri.

Dr. Brockmeyer potencoi gatishmërinë e Stadler Rail për të bashkëpunuar dhe shkëmbyer ekspertizën e tyre në hekurudha me Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe ministrinë e linjës.  Ai bëri të ditur se përfaqësuesit e Stadler Rail së shpejti do të vizitojnë Kosovën për shkëmbime të mëtejshme.

Në takimin me kryetarin e Bordit të SELISE (Secure Link Services AG), Kurt Weber, kryeministri Kurti theksoi veçanërisht potencialin e madh dhe gjithnjë në rritje të të rinjve të angazhuar në sektorin e teknologjisë së informacionit.

Kryeministri Kurti dhe z.Weber, nënshkruan një Letër qëllim, nëpërmjet së cilës Qeveria e Republikës së Kosovës dhe SELISE, në formë të shkruar shprehin interesimin e përbashkët për të promovuar të bërit biznes në Kosovë dhe të mbështetur Republikën e Kosovës në kontekstin e transformimit digjital.​

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat