​“Jemi kategoria më e shkelur, të barabartë me një rast social”

Aktuale

​“Jemi kategoria më e shkelur, të barabartë me një rast social”

Më: 6 qershor 2022 Në ora: 16:10
Foto ilustrim nga vendi i ngjarjes

Veteranë e UÇK-së nga i gjithë vendi i janë bashkuar protestës së sotme për të kundërshtuar projektligjin për pagën minimale. Ata kanë deklaruar se luftëtarët e Kosovës po krahasohen me një rast social, ani pse falë tyre sot gëzohet liria. Të njëjtit gjatë së hënës kanë thyer rrethojat e kuvendit dhe ka pasur edhe përleshje me forcat e rendit.

Rrahman Ahmeti nga Mitrovica, thotë se nuk do të tërhiqen, derisa ky projektligj të kthehet prapa.

Ahmeti: Kemi ardhur për të drejtat tona

“Jena ardhur për të drejtat tona me ligjin për paga minimale, neve na kanë qit nën rrogë minimale. Tash po duan me rrit pagën minimale dhe me hjek ligjin që mos me pagua neve veteranëve. Çka të bëjmë me 170 euro, unë jam me nëntë anëtarë. Po i shohim shtrenjtimet, me një sëmundje me qenë ato para nuk të dalin... I kemi thy rrethojat dhe kemi hyrë, por tash janë policia i kemi vëllezërit tanë nuk po duamë t’i dëmtojmë”, ka thënë ai.

Protestues ka pasur edhe nga Kaçaniku. Ahmet Vishi, i cili thotë se dikur ishte komandant, thotë se nuk do të tolerojë që lufta të mos trajtohet me dinjitet.

Kaçaniku: Luftën nuk e tolerojmë askënd që të na i shkel

“Sot jetoj dhe punoj me çekiç, personalisht për vete nuk kam nevojë për asnjë cent. Por, vijat e luftës dhe luftën nuk do të tolerojmë askënd që të na i shkel, askënd. Se lufta është forma më e fundit e procesit vendimmarrës të një shteti. Ne nuk jemi të kënaqur aspak me Albin Kurti ka luftuar për shtet e jo për pushtet”, shton ai.

Islam Durmishi nga Skenderaj, thotë se është i gatshëm të dalë edhe në protesta të tjera për të kundërshtuar ndryshime të tilla të ligjit.

Durmishi: Sot kemi dalë të protestojmë për të drejtat tona

“Sot kemi dalë të protestojmë për të drejtat tona, të cilat po na shkelen për ditë. Ky po kqyr me ndrushua ligjin për veteranët e luftës dhe të mos na përfshijë në pagën minimale. Për të cilën kemi sakrifikuar jetën për këtë shtet dhe për këtë vend. Ne jemi për shtetndërtim për ligjvënie, por drejtat tona mos të na shkelin. Sepse jemi kategoria më e vlefshme e vendit...

Ndërkaq, Isuf Paloku nga Ferizaj, thotë se luftëtari po trajtohet si një rast social.

Paloku: Jemi kategoria më e shkelur

“Ju kemi bashkuar protestës sepse jemi kategoria më e shkelur që jeton në Kosovë. Jemi barabartë me rast social, por realisht jemi luftëtarë, veteran e invalid të luftës. Me qëndrua me social është shumë keq. Me llogarit një rast social barabartë me një luftëtarë”, përfundon ai.

Në mungesë të kuorumit, Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur në seancën e sotme të votojë ligjin për pagën minimale. Pro këtij projektligji kanë votuar vetëm 51 deputetë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat