Reshat Nurboja, ka kujtuar ushtarin e dalluar në Koraci, shqiptarin Bekim Berisha-Abeja.
Ai ka thënë se, krerët korat në atë kohë e kanë vlerësuar lart figurën e tij, duke e cilësuar si një strateg dhe arkitekt të çlirimit, madje edhe si një si një luftëtar i cili vlente sa 1.000 ushtarë.
Shkrimi në Facebook:
PA LINDUR 15 QERSHORI NUK DO TË NDODHTE 16 QERSHORI…!
Bekim Berisha - Abeja, u lind më 15 qershor 1966 në fshatin Graboc të Pejës, ndërsa u nda fizikisht nga populli i tij për të mos u harruar kurrë me 10 gusht të vitit 1998. Në Kosovë, heroi dhe dëshmori i kombit Bekim Berisha, njihet me nofkën Abeja, ndërsa në Kroaci me nofken Shok..: Bekim Berisha iu bashkua forcave mbrojtëse të Kroacisë, ku luftoi për pavarësinë e saj.
Ish presidenti kroat Franjo Tugjman, i cili njëkohësisht ishte edhe strateg dhe arkitekt i çlirimit dhe i pavarësisë së Kroacisë, Bekim Berishën e përshkruante si një luftëtar i cili vlente sa 1.000 ushtarë. Ndërsa, ish-komandanti i Shtabit të Forcave të Armatosura të Kroacisë nga viti 1992 deri 1995, Janko Bobetko, në shumë prononcime publike kishte shprehë dhimbje të madhe për vdekjen e Bekim Berishës, duke deklaruar se Berisha ishte njëri nga ushtarët më të mirë dhe më të besueshëm që kishte takuar ndonjëherë. Për shkak të trimërisë dhe aftësive prej një strategu të artit luftarak, Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Kroate e dekoroi Bekim Berishën me Gradën e Gjeneralit!
Bekim Berisha, 539 ditë ishte pjesëtar i rregullt i Ushtrisë Kroate. Nga lufta e Kroacisë, Bekim Berisha kalon në luftën e Bosnjës, përsëri kundër forcave serbe, duke marrë pjesë në shumë beteja të ashpra…Luftërat në Slloveni, Kroaci dhe Bosnjë trumbetonin qartë se nuk ishte e largët dita kur edhe në Kosovë do të fillonte lufta. Dhe, kur në Kosovë filloi lufta, Bekim Berisha në fillim të marsit të vitit 1998 me një grup shokësh mërgimtarë hyn në mënyrë ilegale në Kosovë, duke u sistemuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, fillimisht në fshatin Açarevë të Drenicës, ku me 22 prill 1998 hapi Akademinë e Parë Ushtarake të Kosovës, me qëllim të aftësimit dhe mësimin e artit luftarak ushtarëve të rinj të UÇK-së… Me ashpërsimin e luftërave në mes forcave të UÇK-së dhe të atyre ushtarake, policore e paramilitare serbe, Bekim Berisha iu bashkëngjit luftëtarëve të Dukagjinit…
Bekim Berisha, është i vetmi ushtarak i cili është dekoruar nga tre presidentë, nga ai i Shqipërisë me dekoratën “Nderi i Kombit”, Kroacisë me dekoratën “Urdhërit të Kryqit të Kroacisë “ dhe Presidenti i Kosovës, Bekim Berishën e ka dekoruar me urdhrin “Hero i Kosovës”.
BEKIMI E BEKOI KOSOVËN DHE PEJËN!