Mbyllet seanca e Kuvendit/ Gjithçka çfarë ndodhi në seancë, tensione, përplasje e kundërshtime

Aktuale

Mbyllet seanca e Kuvendit/ Gjithçka çfarë ndodhi në seancë, tensione, përplasje e kundërshtime

Më: 16 qershor 2022 Në ora: 07:54 Përditësuar në ora: 17:03 më 16.06.2022
Kuvendi i Kosovës

Mbyllet seanca e Kuvendit, Konjufca: Nuk do të mund të bllokohet pafundësisht

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka mbyllur seancën e sotme parlamentare, pas disa incidenteve që ndodhën në dhe pranë Kuvendit.

“Nuk ka pas lidhje kjo seancë me temën për të cilën sot është protestuar dhe është bllokuar seanca, mirëpo për shkak se nuk shoh kushte që të vazhdojmë për arsye se një pjesë e opozitës po insiston që kjo seancë të bllokohet, e vazhdojmë javën e ardhshme”, tha Konjufca.

“Vetëm po ju paralajmëroj se seancat e kuvendit nuk do të mund të bllokohen pafundësisht për shkak të betejave tona politike që i kemi, megjithatë mbi të gjitha, principi më i rëndësishëm i një shteti është funksionimi i demokracisë, dhe në kuadër të kësaj, funksionimi i parlamentit, është guri i saj themeltar”, u shpreh tutje kryeparlamentari.

Opozita nuk po e lejon rifillimin e seancës

Partitë opozitare nuk po e lejojnë rifillimin e seancës në Kuvendin e Kosovës.

Deputetë të PDK-së dhe AAK-së janë pozicionuar tek foltorja dhe nuk po largohen nga aty.

Kujtojmë se Kuvendi shkoi në një pauzë njëorëshë, por nuk është rikthyer ende.

​Kurti propozon për nesër takimin me veteranët

Kryeministri Albin Kurti propozoi sot në seancën plenare që takimi me veteranët e luftës të mbahet nesër, pasi sipas tij paga minimale sot nuk është rend dite.

Ndërkaq opozita sërish ka bllokuar punimet e seancës plenare me kërkesë që takimi të ndodhë sot.

Kurti: Sot nuk është në rend dite paga minimale

“Unë bëra një propozim shumë të qartë dhe të saktë, e ky është zyra ime, e cila kontakton organizatat e dala nga lufta për takim nesër. Nëse thua vetëm sot, e vetëm tash, kjo do të kishte kuptim të hënën. Të hënën ka kaluar në lexim të parë projektligji që e ka rritur pagën minimale. Pra, sot është absurde dhe së dyti, unë nuk mendoj që një deputet i opozitës, qoftë ai edhe më i miri mund të flas në emër të protestuesve. Është gabim për mua si kryeministër nëse unë legjitimoj një deputet opozitar si udhëheqës të protestuesve kur nuk është fare aty. Unë kam organizuar shumë protesta, por unë kam dal në ballë… Duhet me shpif diçka për mua për të mund me më kritikuar. Pra, pa shpifje nuk po mundesh të kritikon. Kjo tregon që ndoshta pajtohesh me mua, me vetë faktin që duhesh të më shtysh në një skaj imagjinativ, kurrë s’kam qenë as nuk do të jem. Kjo tregon që pa më çuar atje, nuk po mundesh me më kritikuar. Prandaj mos shpifni për mua”, tha ai.

Në replikë me kryeministrin, deputeti Bekë Berisha nga AAK, ka kërkuar nga kryeministri të caktohet ora për takim me veteranët.

Berisha: Kryeministër, tregoje orën e takimit me veteranët

“Kryeministër, orën tregoje kur do t’i takosh, se e evitojmë një problem të panevojshëm dhe të madh. Unë ty nuk mund të bëj asgjë tjetër, pos ai që je. Po e tregoj një rrëfim, në ‘89-ën në Mitrovicë: mijëra studentë në protestë dhe thërriste njëri “Poshtë Milosheviqi”, të gjithë theksonin “Poshtë Milosheviqi”. Tri herë thoshin poshtë, njëri, mixha i njërit këtu, që është shok me ty Albin, tri herë thoshte poshtë, ai që nuk po ia përmendi emrin. Qe ku je!”, tha Berisha.

Bekim Haxhiu ia ndal mikrofonin Haxhi Avdylit

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, kanë thënë se seanca e sotme nuk do të mbahet, duke u çuar nga ulëset e tyre dhe kanë bllokuar foltoren.

Në momentin derisa po fliste deputeti Haxhi Avdyli, deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu ka shkuar dhe i ka ndalur mikrofonin.

Gjithashtu në momentin kur Haxhiu i ka ndalur mikrofonin Avdylit, ka qenë deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi e cila ka shkëputur mikrofonin nga foltorja.

Seanca aktualisht është ndërprerë.

Berisha, Kurtit: Votat e mëdha i ke marrë kur je bërë me jugosllavi

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Bekë Berisha, ka thënë se kryeministri i Kosovës Albin Kurti, votat më të mëdha i ka marrë kur është bërë me jugosllavinë.

Berisha tha se Kurti u mundua të merrtë vota me bashkimin kombëtar por nuk ia kishte arritur.

“Kryeministri Albin Kurti, pati provuar të marrë vota me bashkimin kombëtar me Adem Demaçin e me vlera kombëtare por nuk ja arriti. Votat e mëdha i ka marrë kur është bërë me ata tjerët që janë shumëm ata janë shumë. Me jugosllavi Albin” – tha Berisha.

Sipas tij Kurti sa më shumë që i bën nervoz veteranët e fiton mbështetjen e këtyre tjerëve.

“Ti je i mençur. Ti e kupton shumë mirë këtë punë. Sa më shumë t’i bësh nervoz veteranët ti dhe ai Murati ty të shtohen radhet e këtyre tjerëve kështu në prapavijë. Ata në heshtje të përkrahin fortë. Ti e din se duhet të ua bësh argatin dhe të jesh i besueshëm për ata njerëz” – theksoi ai.

“Nuk thash që i gjithë populli janë ashtu, por goxha do janë ashtu dhe ti po mundohesh me përfitu dhe ti saktë po thua atë çka thash unë. 60 mijë veteranë nëse jam, ndahen nëpër të gjitha partitë nga pak, a ata nuk ndahen, ata e duan vetëm një lider të besueshëm, ty të dojn, e ti po ua dëshmon që ti je për ta, “qy çka u bëjë unë ktyre që luftojnë për lirinë e vendit”-tha në fund deputeti i AAK-së.

Kurti replikon me Berishën: Nëse do të...

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka replikuar me deputetin e AAK-së, Bekë Berisha, i cili tha se tha se “në 89-ten mija studentë në protesta thoshin tri herë poshtë Millosheviqi, e mixha i njërit këtu që s’po ia përmendi emrin thoshte një herë poshtë Millosheviqi, e tri herë poshtë ai që s’po ia përmendi emrin”.

Kurti tha se shumica dërmuese e popullit të Kosovës ka qenë kundër Jugosllavisë e Serbisë, por sipas tij, për ta kritikuar atë, deputeti Berisha po shpif për të e popullin e Kosovës.

“Nuk ka çka të duhet kjo. Sapo e ofendove popullin. Shumica dërmuese gjithmonë kanë qenë kundër Serbisë dhe Jugosllavisë. Mos e ofendo as popullin e as mua”, është shprehur Kurti.

Tutje, Kurti tha se oferta për takim me veteranët është konkrete dhe në rast se duan ta kritikojnë, atëherë le të thirret seanca për këtë.

​PDK këmbëngul që takimi me veteranët të ndodhë sot

Partia Demokratike e Kosovës po insiston në ndërprerjen e seancës dhe fillimi i dialogut me veteranët që nga dita e sotme.

Shefi i deputetëve të kësaj partie, Abelard Tahiri ka kërkuar që qeveria të takohet sot me veteranët për zgjidhjen e këtij problemi.

Ai ka thënë se debati për çështjen e veteranëve ka nisur që një muaj, por Kurti ka refuzuar të gjejë zgjidhje.

Kurti: Kërkesë e jona është që sot të takohen

“Kërkesë e jona është që sot, këta akterë të rëndësishëm: qeveri, komision, përfaqësues të veteranëve të UCK-së të takohen. Sepse, sot kemi një protestë dhe sot këta njerëz duhet të respektohen dhe këta njerëz sot duhet të ftohen në takim. Unë e di që sot nuk mund të arrihet marrëveshja, sot nuk mund të zgjidhet ky problem. Por, sot duhet të fillohet me dialog përmes këtyre palëve të rëndësishme në këtë proces”, ka deklaruar Kurti.

Ai i ka reaguar edhe kryeministrit Albin Kurti, ku tha se për çështjen e veteranëve që një muaj janë duke kërkuar zgjidhje.

Tahiri: Keni imponuar veteranëve të protestojnë në 31 gradë Celsius

“Sot kur ju keni imponuar veteranëve që në temperatura mbi 31 gradë celsiusë, ata të dalin të protestojnë për një të drejtë të tyre fundamentale - ti thua që po e anulon pjesëmarrjen në një forum. Sot, kryeministër , se kjo punë sot nuk fillon me ty që ti u involvove, por e ke refuzuar në vazhdimësi.... Ne po të kërkojmë sot që të ndërpritet kjo seancë, sepse nuk mund të përbuzim ata njerëz. Dhe ti së bashku me Komisionin për Buxhet dhe Transfere, me ministrin e Financave t’i takoni dhe të arrini një marrëveshje ose të hyjmë në një proces, i cili do ta përcaktojë çështjen e pagës së veteranit të UCK-së dhe pastaj ne mund të kthehemi në normalitet”, ka shtuar Tahiri në seancën plenare.

Më tej, Kurti ka replikuar duke thënë se nuk mund të mbyllet seanca, meqë nuk është në rend dite paga minimale. 

Kurti: Po e anuloj pjesëmarrjen në Forumin e Prespës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti theksoi se do të anulojë pjesëmarrjen në Forumin e Prespës për t’i takuar veteranët e luftës bashkë me ministrin e Financave, Hekuran Murati dhe deputetin Armend Muja, për t’i shqyrtuar kërkesat e tyre për të cilat po protestojnë, raporton KosovaPress.

Kurti në seancën parlamentare tha se është i interesuar t’i takojë veteranët drejtpërdrejt veteranët, derisa ka bërë thirrje që të mos ndërpritet puna e Kuvendit.

Kurti: Po e anuloj pjesëmarrjen në Forumin e Prespës

Ajo çfarë unë po propozoj sot, është që ta anuloj pjesëmarrjen time në Forumin e Prespës për nesër. Dhe unë po i pres në takim bashkë me ministrin e Financave, Punës dhe Transferve dhe me kryetarin e Komisionit për Buxhet dhe Financa udhëheqësit e Organizatës së Veteranëve të luftës së UÇK-së dhe po i diskutojmë të gjitha. Por, unë besoj se ata janë përfaqësues të protestës, jo një deputet i opozitës. Sepse nga deputeti Tahiri dëgjova pasi që së pari u prezantua në emër të opozitës e më pastaj foli në emër të protestuesve. Pa dyshim se jam për të drejtën e protestës dhe jam për dialog, edhe nëse nuk pajtohemi. Ky është qëndrimi shumë i saktë i imi, por seanca e kuvendit nuk bën të ndërpritet. Është gabim që të ndërpritet seanca e kuvendit. Seanca e kuvendit duhet të vazhdojë, sepse kemi shumë pika dhe unë nuk po shkoj nesër në Prespë, po i takoj përfaqësuesit e veteranëve. Sot nuk do të shkoj”, theksoi Kurti.

Fillimisht Kurti tha se është pro që veteranët e UÇK-së të kenë kompensim më të lartë se paga minimale, por siç tha ai këtë e meriton numri i veteranëve të vërtetë. 

Kryeministri Kurti: Veteranët e vërtetë të kenë kompensim më të lartë se paga minimale

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Qeveria ka ndarë afërsisht 120 milionë euro për kategoritë e dala nga lufta.

Në fjalën e tij në seancën e sotme, ndërsa jashtë po mbahet protesta e veteranëve, ai tutje tha se respekti për ta po shprehet me buxhet, por numri i veteranëve të UÇK-së është i fryrë, dhe se veteranët e vërtetë të kenë kompensim më të lartë se paga minimale.

“Qeveria me politikat e saj dhe deklarimet e saj ka shprehur mirënjohjen e thellë për të gjithë ata që kanë dhënë kontribut në çlirimin e vendit, për veteranët dhe invalidët e UÇK-së, familjet e dëshmorët e kombit dhe të gjithë pjesëmarrësit e tjerë. S’besoj që ne dallojmë sa i përket respektit dhe mirënjohjes për veteranët e UÇK-së, ne mund të dallojmë në bindjen tonë mbi numrin e tyre dhe ky është një debat në shoqërinë tonë dhe në kuvend. Qeveria i ndan 120 milionë euro përafërsisht për kategoritë e dala nga lufta, e që është më shumë sesa për mbrojtjen e vendit, pra për veteranët e invalidët e luftës, për familjet e dëshmorëve, shuma është rreth 120 milionë euro. I bie 1.5 për qind të bruto produktit vendor që është më lart sesa për mbrojtjen dhe sigurinë. Respekti po shprehet me buxhet, por kur shikon përbërjen e përmbajtjen aty ne kemi pas vërejtje edhe kur kemi qenë në opozitë e vazhdojmë të kemi vërejtje edhe sot e kësaj dite, sepse konsiderojmë se pjesëmarrës në luftën çlirimtare kanë qenë edhe më shumë se 60 mijë, por numri i veteranëve të UÇK-së është i fryrë”.

Shefi i qeverisë tha se fryrja e numrit të veteranëve është gabim për historinë që iu mësohet fëmijëve dhe të huajve që do të vijnë dhe do ta studiojnë luftën e Kosovës.

“Ky është gabim edhe për historinë që iu mësohet fëmijëve dhe brezave të rinj, sepse është diçka e pavërtetë të konsiderohet një numër i tillë edhe për librat tonë të historisë edhe për brezat e rinj, e besa edhe për të huajt që do të vijnë e do ta studiojnë luftën tonë. S’mund të mashtrojmë askënd dhe s’duhet të mashtrojmë askënd. Duhet t’i përmbahemi të vërtetës. Ka pasur mjaftueshëm veteranë të UÇK-së dhe askush s’ka nevojë ta fryjë atë.

“Ka pasur mjaftueshëm veteranë të UÇK-së dhe askush s’ka nevojë ta fryjë atë, pjesëmarrës edhe më shumë se aq, veteranë shumë më pak se aq. Nuk është respekt e dinjitet paga minimale për veteranin, paga minimale e ka shprehjen minimale për brenda, pra paga është ajo që ipet për punën që bëhet, paga është në kohën e tashmë të vazhdueshme. Nuk jepet paga për diçka para 23 vjetëve. Veteranët e UÇK-së të kenë kompensim mirënjohje, falënderim më të lartë se paga minimale, por një numër i vërtetë i tyre”.

Kurti i kërkoi të mos flasë në emër të veteranëve, reagon Tahiri

Shefi i Grupit Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, i ka reaguar kryeministrit Albin Kurti, i cili i kërkoi që të mos flasë në emër të veteranëve protestues.

Në replikën e tij ndaj kryeministrit, Tahiri ka thënë se protestuesit kanë kërkesa ndaj deputetëve lidhur me Ligjin për pagën minimale dhe se ata janë të pakënaqur me punën e Kuvendit.

“Kryeministër, këta veteranë kanë një kërkesë ndaj deputetëve. Pakënaqësia e tyre është në lidhje me punën e këtij Kuvendit, pra me punën e deputetëve të VV-së. Ne kemi kërkuar vazhdimisht angazhimin tuaj si Qeveri, por ju keni refuzuar të gjeni një zgjidhje për veteranët dhe i keni detyruar të dalin në këto temperatura të larta të protestojnë për të drejtat e tyre. Ti kryeministër thua që po e anulon shkuarjen në një forum”.

Ndërsa, Kurti i reagoi sërish duke thënë se seanca e sotme e Kuvendit nuk ka nevojë të ndërpritet pasi nuk do të diskutohet për pagën minimale. Por, u zotua se do t’i presë në takim përfaqësuesit e veteranëve dhe të diskutojnë për arritjen e një zgjidhjeje.

“Të hënën ka qenë seanca kur kemi diskutuar për pagën minimale, nuk është sot, ndaj nuk është e nevojshme që kjo seancë të ndërpritet”, deklaroi shefi i qeverisë.

“Unë po propozoj që kjo seancë të vazhdojë me pikat e rendit të ditës e unë do të takohem me veteranët para se Ligji për pagën minimale të kalojë në lexim të dytë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat