Kërcënime me bomba në disa shkolla në veri, policia jep detajet

Aktuale

Kërcënime me bomba në disa shkolla në veri, policia jep detajet

Më: 16 qershor 2022 Në ora: 08:29 Përditësuar në ora: 11:47 më 16.06.2022
Foto ilustrim

E konfirmon policia, alarmet për bomba rezultojnë të rrejshme

Policia e Kosovës deklaroi se sot në orët e hershme të mëngjesit, nga personeli i disa shkollave, ka pranuar informacione për kërcënime me mjete shpërthyese (bomba) në disa objekte shkollore, të ndodhura kryesisht në zona të banuara me popullatë serbe.

Policia deklaron se bazuar në informacionet e deritanishme, këto kërcënime janë bërë në rajone të ndryshme në disa objekte shkollore (deri më tani në rreth 30 lokacione), e të cilat kërcënime janë pranuar përmes formës elektronike dhe linjave telefonike.

“Referuar informacioneve të pranuara, Policia e Kosovës menjëherë ka ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme policore në funksion të trajtimit dhe hetimit të këtyre rasteve, duke angazhuar njësitet relevante policore, përfshirë ato për trajtimin e materieve shpërthyese dhe njësitin me qenë (K-9)”, deklaron policia.

Gjithahstu, forcat e rendit njoftojnë se kanë ndërmarrë veprime konkrete duke evakuuar personat në perimetrat e sigurisë, përderisa do të vazhdojë angazhimin e saj në ruajtjen e rendit kushtetues, garantimin sigurisë në nivel vendi si dhe ofrimin e sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallime.

Deri në këtë fazë Policia e Kosovës ka arritur t’i trajtoj dhe verifikojë disa nga objektet shkollore, të cilat kanë rezultuar të jenë kërcënime të rrejshme”, deklaron policia, duke ftuar qytetarët që të mos krijojnë ndonjë panik, pasi Policia e Kosovës është prezente dhe e angazhuar në trajtimin, hetimin dhe ofrimin e sigurisë në të gjitha lokacionet në nivel vendi.

​Kërcënimet për bombat në veri, flet policia: Alarmi në të katër komunat

Alarmi për bomba është dhënë për disa shkolla në katër komunat veriore, Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë të Veriut.

Kjo është konfirmuar nga zëdhënësi i Policisë në veri,Branislav Radoviq, i cili i tha KosovaPress-it se njoftimi është pranuar në ora 7:40 të ditës së sotme.

“Policia rreth orës 7 e 40 të mëngjesit të sotëm ka marrë informacionin se nëpër disa shkolla të veriut ka mjete shpërthyese në komunat Leposaviq Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë të Veriut”, deklaroi Radoviq për KosovaPress.

Policia ka dalë në vendin e ngjarjes ndërsa të gjithë nxënësit janë evakuuar nga këto objekte. 

Situatë shqetësuese në veri,​ kërcënime me bomba në disa shkolla

Procesi mësimor nëpër disa shkolla në komunat veriore të vendit është ndërprerë sot në mëngjes për shkak të mesazheve anonime kërcënuese se në to janë vendosur bomba, bëjnë të ditur burime të KP nga veriu.

"Në shkollat ‘Branko Radicevic’ në veri të Mitrovicës dhe ‘Vuk Karaxhiq’ në Zvecan, është ndërprerë mësimi dhe nxënësit kanë dalë jashtë këtyre objekteve për shkak të sigurisë. Kanë ardhur mesazhe se ka bomba të vendosura nëpër këto shkolla. Policia ndodhet në vendin e ngjarjes", kanë thënë këto burime.

Media ka provuar të kontaktojë me përgjegjësit e policisë në veri, por pa sukses. 

Kërcënime me bomba ka pasur së fundmi edhe në Prishtinë, saktësisht në shkollën “Xhevdet Doda” si dhe dy herë në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës. Në të gjitha rastet kërcënimet kanë qenë përmes emailit.

Po ashtu, në disa raste, ka pasur paralajmërime për bombë edhe në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë. Por gjithnjë kanë rezultuar alarme false.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat