U mbajt Kongresi i 15-të i Federatës së Mjekëve Shqiptarë

Aktuale

U mbajt Kongresi i 15-të i Federatës së Mjekëve Shqiptarë

Më: 24 qershor 2022 Në ora: 15:05
Foto ilustrim

Në Prishtinë sot u mbajt Kongresi i 15-të i Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Evropë (AMFE), në të cilin morën pjesë rreth 500 mjekë, ndërsa 25 mjekë shqiptarë që veprojnë në vende të ndryshme të Evropës ndan përvojat e tyre mjekësore.

Qëllimi i kongresit dyditorë është shkëmbimi i përvojave mjekësore dhe avancimi i mjekësisë të trojeve shqiptare.

I pranishëm në këtë Kongres ishte edhe ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi i cili ka mirëpritur këtë aktivitet.

Latifi: Tubimi mundëson shkëmbimin e të dhënave shkencore në emergjenca

“Ky është tubim shkencor i mjekëve tanë shkencëtarëve tanë që punojnë jashtë Kosovës në institucione të rëndësishme të Evropës me i nda të dhënat e fundit shkencore me emergjenca posaçërisht. Por, ka një rëndësi më të madhe sesa ajo shkencore është ajo lidhja, hallka e zinxhirit që na lidh me vendin tonë… Ju jeni ambasadorët më të mirë. Është ajo hallka shumë e rëndësishme që mban bashkë me zinxhirin për dashurinë për atdheun… Impakti shkencor ndihet shumë më vonë jo atë ditë kur prezantohet, ne mësojmë e adaptojmë për qendrat dhe kushtet tona”, tha Latifi.

Kryetarja e Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Evropë, Aurorla Dollenberg u shpreh se qëllimi këtij kongresi është shkëmbimi i dijes të mantel-bardhëve kosovarë.

Specializantja në mjekësinë urgjente thotë se në këtë kongres do të flasin 25 folës kryesisht për ofrimin e ndihmës së shpejt bazike dhe të avancuar.

Dollenberg: Synimi është shkëmbimi I dijes

“Uroj që ky kongres të jetë edhe fillimi i një bashkëpunimi i cili do të vazhdoj qoftë në aspektin e telemedicinës apo projekte të tjera, për të rritur sidomos aftësimin klinik të mjekëve… Synimi është shkëmbimi i dijes. Jemi të gjithë ekspertë, mjekët vendorë kanë eksperiencat e tyre dhe janë ekselentë, kështu që qëllimi është që 25 folësit e ardhur nga vendet e ndryshme të Evropës, të prezantojnë studimet më të fundit shkencore, në mënyrë të tillë që dija të shkojë edhe një hap më parapara dhe të krijomë një rrjet edhe në muajt në vazhdim në klinikat të ndryshme…. Do të bëjmë kursin ndihmës së shpejt bazik dhe atë të avancuar do të fillojmë me praktikë për të dhënë shembullin se duhet të jemi nga ana praktike gjithnjë e më mirë sepse vetëm teoria nuk mjafton”, theksoi Dollenberg.

Krahas Kosovës gjatë këtij muaji Kongresi i pesëmbëdhjetë i Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Evropë është mbajtur edhe në Shqipëri, ndërsa po këtë javë është mbajtur në Maqedoninë e Veriut. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat