Hapet vendvotimi numër 6 në Tërnoc të Madh, koalicioni i shqiptarëve shpreson për fitore

Aktuale

Hapet vendvotimi numër 6 në Tërnoc të Madh, koalicioni i shqiptarëve shpreson për fitore

Nga: F.B. Më: 30 qershor 2022 Në ora: 10:54
Foto ilustrim

Sot në Tërnoc të Madh për herë të pestë brenda disa muajve u hapën kutitë e vendvotimit. Atje votohet për zgjedhjet parlamentare dhe për çështjen “të jesh apo të mos jesh – përkatësisht të kalosh pragun apo jo” për Koalicionin e Shqiptarëve të Luginës , kryesuar nga Shaip Kamberi.

Në katër herët e kaluara (përfshirë këtu anulimin herën e shkuar pas mosmarrëveshjes së anëtarëve të Komisionit dhe kërcënimit me bombë) zgjedhjet në këtë vendvotim janë anuluar për shkak të parregullsive, ndërsa Koalicionit të Shqiptarëve në herën e tretë të mbajtjes së zgjedhjeve i kanë munguar vetëm 12 vota për kalimin e pragut dhe fitimin e një ulëse në Kuvendin e Serbisë.

Gazeta “B92” shkruan se në Tërnocin e Madh , sot me 30 qershor po votohet për herë të pestë në zgjedhjet parlamentare, përsëritja e zgjedhjeve në vendvotimin numër 6 në Tërnoc po bëhet me vendimin e Komisionit Republikan Zgjedhor, transmeton “Bota Sot”.

Votimi i parë në këtë lokalitet me 3 prill si në gjithë Serbinë, u anulua, sikurse edhe dy votimet tjera të përsëritura, ndërsa së fundi para një jave me 23 qershor, ato nuk u mbajtën pas fillimisht nuk pati pajtim dhe marrëveshje rreth ndarjes së roleve në komisionin zgjedhor e më pas edhe pas kërcënimit se aty ka bombë të vendosur.

Këto votime janë me rëndësi kyçe për Koalicionin e Shqiptarëve të Luginës që drejtohet nga Shaip Kamberi , pasi nëse ky koalicion fiton dhe kalon pragun automatikisht shqiptarët fitojnë përfaqësimin në Kuvendin e Serbisë.

Nëse fiton koalicioni dhe kalon pragun, atëherë Partia SPS e cila ishte ankuar dhe pastaj ndodhi përsëritja, do të mbetet pa një deputet në përbërjen e re të Kuvendit.

Në Tërnoc në vendvotimin numër 6 në shkollën fillore “Muharrem Kadriu” të drejtë vote kanë gjithsejtë 1 mijë e 89 votues të regjistruar në KRZ.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat