​Bordi i AKP-së vendos 34 asete në valën e shitjeve numër 57

Aktuale

​Bordi i AKP-së vendos 34 asete në valën e shitjeve numër 57

Më: 4 korrik 2022 Në ora: 20:35
Foto ilustrim

Bordi i Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit në mbledhjen e sotme shqyrtoi dhe miratoi transaksionet e shitjeve të aseteve numër 55 që u mbajt muajin e kaluar, si dhe aprovoi listën e aseteve për vendosje në tender publik për valën e shitjeve numër 57 ku përfshihen 34 asete.

Me këtë rast, Bordi kërkoi nga komunat e Kosovës që të parashtrojnë kërkesat sipas procedurave ligjore në rast se kanë ndonjë interesim për ndonjë nga këto asete për qëllim të interesit publik për të cilën do të kontaktohen të gjitha komunat me shkrim.

Për tri ndërmarrjet Industria e Keramikës, Shkup; Gazela dhe Sirovina Banat (otpad), Zrenjanin, u miratuan raportet e Komisionit për përcaktimin e statusit të tyre si ndërmarrje shoqërore, ndërkaq u miratua edhe Raporti i Komisionit për shitjen e banesave me të drejtën e shfrytëzimit.

Bordi i Drejtorëve miratoi propozimin për inicimin e procedurës së shitjes së deleve, pronë e ndërmarrjes shoqërore “Sharrprodhimi”, Dragash.

Po ashtu, miratoi ndryshimin e sipërfaqeve që shfrytëzojnë në ndërmarrjen Hotel “Grand” qiramarrësit NTP De Bona Auto, Ephesus Travel Kosova, Brovina, Laureta, Five Star Fitnes, Prince Coffe House (Comodita Home), Prince Coffe House, Roof Top Three 60, Tek-ing shpk – Ma Belle.

Në të njëjtën kohë aprovoi raportet e shpërndarjes për kreditorët e ndërmarrjeve shoqërore KB Kosova, 19 Qershori, PMN Sharr Han i Elezit, Hotel “Mineral” Gjilan, Liria Prishtinë, KB Ferizaj, FBI Trepça Pejë, dhe Montazhi i Kosovës, si dhe aprovoi raportet përfundimtare për ndërmarrjen në likuidim “Ndërtimtari” Drenas.

Bordi shqyrtoi raportin mujor të ndërmarrjes “Brezovica”, e cila është nën administrimin e AKP-së dhe kërkoi të bëhen përgatitjet e nevojshme për terrenet e skijimit dhe hapësirat e hoteleve që operojnë në kuadër të ndërmarrjes, në mënyrë që të ofrohen kushte sa më të mira për turistët në sezonin e ardhshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat