Ministrja Nagavci ka zhvilluar takime të rëndësishme në Këshillin e Evropës

Aktuale

Ministrja Nagavci ka zhvilluar takime të rëndësishme në Këshillin e Evropës

Më: 5 korrik 2022 Në ora: 14:27
Foto nga takimi

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, po qëndron për vizitë zyrtare në Strasbourg të Francës me ftesë të Këshillit të Evropës (KiE), ku përgjatë dy ditëve, ka zhvilluar takime të rëndësishme me zyrtarë të lartë në këtë organizatë.Gjatë takimeve është biseduar për punën e Këshillit të Evropës në fushën e arsimit, të drejtave dhe mbrojtjes së fëmijëve, si dhe për mbështetjen për arsimin në Kosovë.

Ministrja Nagavci është takuar me drejtorin e Drejtorisë për Pjesëmarrje Demokratike, Matiaz Gruden, shefin e Departamentit të Arsimit, Villano Qiriazi dhe shefen e Divizionit për Bashkëpunim dhe Ngritje të Kapaciteteve, Sarah Keating.Në këtë takim, ministrja Nagavci ka folur për punën që po bëhet nga Qeveria e Kosovës për ngritjen e cilësisë në arsim përmes avancimit të politikave dhe veprimeve konkrete me qëllim të përmirësimit të gjendjes, veçanërisht sa i përket rritjes së pjesëmarrjes në arsim të fëmijëve nga grupet e cënueshme.

Ndërkaq, në takimin me shefen e Departamentit të Programeve, Delphine Freymann dhe koordinatoren për Evropën Juglindore dhe Turqinë, Katerina Markovova, është biseduar për programet e reja të Këshillit të Evropës dhe mundësitë e rritjes së bashkëpunimit me Kosovën në fusha të tjera.Po ashtu, ministrja Nagavci është informuar edhe për punën e Qendrës Evropiane për Gjuhët Bashkëkohore me seli në Graz, e cila funksionon në kuadër të Këshillit të Evropës, nga zëvendësdrejtorja ekzekutive e kësaj Qendre, Susanna Slivensky.

Në takim është theksuar rëndësia e shumëgjuhësisë dhe edukimit ndërkulturor, si dhe janë diskutuar mundësitë e bashkëpunimit.Në takimin me Mikael Poutiers, sekretar i Komitetit të palëve nënshkruese të Konventës së Lanzarotes, ministrja është informuar për punën e Këshillit të Evropës në fushën e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve dhe bashkëpunimin në këtë drejtim.

Gjatë këtyre takimeve, ministrja Nagavci ka falënderuar Këshillin e Evropës për mbështetjen e vazhdueshme, së fundmi edhe projektin e përbashkët me Bashkimin Evropian, “Ndërtimi i kapaciteteve për Përfshirje në Arsim – INCLUDE”, i cili përkrahë përmirësimin e qasjes në arsim cilësor të nxënësve nga grupet e cënueshme në Kosovë.Gjatë qëndrimit në Strasbourg, ministrja Nagavci ka vizituar edhe Shkollën Evropiane, ku mësimi zhvillohet në tri gjuhë dhe nxënësit aktualisht janë të 58 nacionaliteteve, ndërsa arritshmëria e nxënësve është shumë e lartë.Gjatë kësaj vizite, ministrja Nagavci ka marrë konfirmim nga zyrtarët e Këshillit të Evropës për vazhdim të mbështetjes dhe zgjerim të bashkëpunimit në arsim.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat