Eurodeputetja gjermane: S’është koha që Kosova të çojë aplikacion në BE

Aktuale

Eurodeputetja gjermane: S’është koha që Kosova të çojë aplikacion në BE

Më: 7 korrik 2022 Në ora: 18:21
Viola von Cramon

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka mbajtur një konferencë për media në këtë institucion mbi përmbajtjen e raportit për Kosovën për vitin 2021. Ky raport ndër të tjera bën thirrje që Kosova dhe Serbia të arrijnë marrëveshje të bazuar në njohje reciproke dhe i njëjti u miratua me shumicë dërrmuese nga eurodeputetët.

Por, në tekstin e këtij raporti, Von Cramon, tha se kanë theksuar përkrahjen për anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës por jo edhe synimin që ka qeveria Kurti që të aplikojë për anëtarësim në BE.

“Ne gjithashtu kemi përfshirë edhe përkrahjen e plotë për aplikimin për anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës. Megjithatë ne kemi bërë qartë dallimin mes aplikimit në BE, ku ne kemi thënë se s’është koha e duhur shkaku i çështjes së mosnjohjes[5 shteteve mosnjohëse] do të rriste pritshmëritë e brendshme të cilat ne do të na duhej t’i menaxhonim më vonë dhe këtë e thashë në Kosovë kur isha prezent atje”, ka thënë Von Cramon.

Në raport ripërsëritet thirrja ndaj Këshillit të BE-së që t’i liberalizojë vizat për qytetarët e Kosovës.

Kryeministri Albin Kurti, në disa raste ka përmendur se Kosova do të aplikojë brenda 2022-ës për statusin e vendit kandidat të Bashkimit Evropian.

Megjithatë, nga 27 vendet anëtare të BE-së, pavarësinë e Kosovës s’e njohin pesë shtete: Greqia, Spanja, Sllovakia, Rumania, Qipro.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12 maj. Aplikimin në selinë e Këshillit të Evropës, në Strasburg, e ka bërë ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla.

Aplikimi i Kosovës nuk ishte përfshirë në agjendë të Komitetit të Ministrave të KiE-së që ishte mbajtur më 20 maj. Tashmë shpresat për shqyrtim të aplikacionin janë në mbledhjen e radhës, e cila është vitin e ardhshëm.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat