Gjenerali Rrahim Ademi: Kosova ime përfiton shumë nga Ura e Peleshacit

Aktuale

Gjenerali Rrahim Ademi: Kosova ime përfiton shumë nga Ura e Peleshacit

Më: 26 korrik 2022 Në ora: 13:43
Rrahim Ademi

Simbolika e urës së Peleshacit në Kroaci është ajo e lidhjes dhe bashkimit të Kroacisë, por rëndësia e saj strategjike dhe ekonomike është shumë më e madhe.

Thjesht, ajo do të mundësojë integrimin e një pjese të madhe të Mesdheut, e cila ka një rëndësi të pallogaritshme historike, ka thënë të martën gjenerali shqiptar i Ushtrisë së Kroacisë, Rrahim Ademi.

Në një deklaratë për Novilist.hr, gjeneral Ademi foli  për rëndësinë e hapjes së urës së Peleshacit.

Strategu më i lartë ushtarak, me origjinë nga Kosova, është një nga ata që mundësuan integrimin e mëvonshëm euroatlantik të Kroacisë, pas fitores në luftë.

Ademi tha se ura e cila është përuruar sot ka një rëndësi të madhe edhe për Kosovën, vendlindjen e tij.

“Ura e Peleshacit hap një kahje krejtësisht të re strategjike, për ta thënë në aspektin ushtarak. Falë kësaj ure dhe vazhdimit të mëtejshëm të ndërtimit të autostradës drejt Dubrovnikut, në një të ardhme të afërt do të mund të ndërlidhet plotësisht jo vetëm jugu i Kroacisë, por edhe vendet që ndodhen në këtë drejtim. Shqipëria, ekonomia e saj si dhe turizmi, gjithashtu do të përfitojnë shumë, dhe ajo për të cilën jam veçanërisht i kënaqur, Kosova ime gjithashtu do të integrohet plotësisht falë urës së Peleshacit dhe autostradës që vazhdon të lidhet me të, dhe kësisoj Eurozona do të lidhet me Kosovën”, tha Ademi, gjenerali kroat i lindur në Vushtrri.

Ademi është vizitor i shpeshtë i të afërmve të tij në Kosovë, ku udhëton gjithmonë nga Dubrovniku dhe Shkodra, e më tej lidhet për autostradën Kukës-Prishtinë. Siç dihet, Prishtina lidhet me Shqipërinë përmes autostradës “Ibrahim Rugova”.

Me fjalë të tjera, gjeneral Ademit sot i duhen më shumë se 12 orë për të udhëtuar nga Shibeniku në Prishtinë, pak më shumë se 700 kilometra.

Falë urës së Peleshacit, udhëtimi i tij dhe të tjerëve do të shkurtohet dukshëm, shkruajnë mediat kroate.

“Ura do të mundësojë integrimin e një pjese të madhe të Mesdheut, që ka një rëndësi të pallogaritshme historike”, shtoi Ademi.

Ura prej 2.4 kilometrash pritet të shkarkojë në mënyrë dramatike rrugët tokësore përgjatë bregdetit ballkanik.

Shoferët në rrugën bregdetare të Kroacisë jugore aktualisht duhet të kalojnë një pikë të kontrollit kufitar në Bosnje e Hercegovinë, përpara se të kthehen sërish në Kroaci – rreth 9 kilometra më tutje – për të kaluar në Mal të Zi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat