Ministrja Rizvanolli: Bateritë që do të instalohen kursejnë minimum 15 milionë euro në vit

Aktuale

Ministrja Rizvanolli: Bateritë që do të instalohen kursejnë minimum 15 milionë euro në vit

Më: 31 korrik 2022 Në ora: 13:09
Artane Rizvanolli

Kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dolën bashkë në një konferencë për media, ku folën për marrëveshjen e me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), të nënshkruar në Washington DC.

Pasi Kurti përsëriti deklaratat për përfitimet e Kosovës nga granti prej 202 milionë dollarësh, ndërsa Rizvanolli tha se bateritë që do të instalohen, do t’ia kursejnë Kosovës minimum 15 milionë euro në vit.

Përdorimi i baterisë do të ndikojë në një masë në uljen e importit të shtrenjtë. Një kalkulim preliminar i MCC-së është që rezervat e energjisë do t’i kursejnë sistemit elektroenergjetik të Kosovës minimum 15 milionë euro në vit, kjo vlerë parashihet të jetë edhe më e madhe kur rriten çmimet e energjisë, siç po ndodhë këto ditë”, tha Rizvanolli.

Ajo theksoi se zbatimi i projektit nis zyrtarisht nga 18 deri në 24 muaj pas ratifikimit, i cili ndodhi të enjten në Kuvendin e Kosovës.

“Zbatimi i projektit zyrtarisht fillon 18 deri në 24 muaj pas ratifikimit, ratifikimi është bërë në kohë rekorde, më shumë se një muaj më herët sesa është planifikuar. Puna nuk do të fillojë menjëherë, gjatë 18 muajve në vijim do të krijohen parakushte, do të bëhen analiza shtesë, lokacioni për bateritë veçse është caktuar, do të vazhdojë puna në parapërgatitjet për zhvillimin e programeve të trajnimeve, do të selektohet institucioni partner. Me fillimin e zbatimit të projektit, mund të fillojë prokurimi i baterive, po flasim për 2-3 vjet deri në kohën kur t’i kemi bateritë e instaluara”, tha Rizvanolli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat