Çun Lajçi del nga spitali: U ktheva, ai afër meje vdiq me sytë hapur

Aktuale

Çun Lajçi del nga spitali: U ktheva, ai afër meje vdiq me sytë hapur

Më: 9 gusht 2022 Në ora: 15:21
Çun Lajçi

Artisti Çun Lajçi përfundoi në spital pak ditë më parë për shkak të disa problemeve shëndetësore, të cilat tashmë i ka kaluar.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook ai e përshkruan mjeshtërisht ato momente të vështira duke theksuar se ishte në prag të vdekjes, por kësaj radhe u kthye, ndërkohë që shton se vdekja nuk të fal dy herë duke paralajmëruar se një shtrim tjetër mund të sjellë probleme më të mëdha për të.

Postimi i plotë i tij:

U ktheva, se ju me deshtët e unë s’mujta pa juve!

Mos harroni, se asht dikush mbi ne që numëron vitet tona, e rrugët i zgjatë, aq sa atij i bahen taman!

Po! Dje vrapova n’spital, si cjapi të kasapi, por kur u shtrina n’shtratin me plot tela, pej e gërshanë, e luta ate dikushin:

-Theja Zot briskun kasapit e lëshoje cjapin maleve me kullotë, se u duhet dhive nesër!

Mendja m’shkoi të Gërlat e Koshutanit. Nuk ngjitesha Gunishtës përpjetë, pa ra n’gjuj e me pi ujë n’rrasa guri!

Jeta qenka e amel dhe e shkurtë, thashë, kur njeni vdiq, n’krevatin përballë meje. Ishte dy herë ma i ri se unë, e sytë i mbetën të hapun.

S’qenka ngi jetë, mendova. E paska dashtë shumë, por ajo paska qenë e shkurtë për te dhe e idhët për mua!

Doktoret e provuen shkencën e ilaçet, por, ai mjeku tjetër, mbi re, ai e kishte thye urën e tij. Ai nuk ngjitej si unë Gunishtës së Koshutanit! S’kalonte përtej fatit t’vet!

Nji gjumë e bana mes gërhama vdekjësh, mes shtrengime zemrash dhe me zbardhjen e ditës, u ktheva gjurmëve të djeshit.

– Si cjapi, që ndjekë hijet e han gjethe drizash, unë ndoqa hijet e pemëve me nji buçetë lulesh, që mi pruni nusja e djalit, dje, kur e nëshkrova vdekjen time!

Po, e nënshkrova, sepse vdekjën e ke nesër, n’mos e paç sot, e s’deshta me ia lanë djalit peng!

Ajo kishte vrapua të shitësi i luleve e n’gjethet e tyne kishte shkrua: Lati e Kosi të duen shumë!

Erdhi si drenushë dhe mi vendosi të kryet, kur u ktheva nga salla, i lidhun me fasha.

Gala ishte mes lotit e gëzimit. Mes dhimbjes e mallit!

Nata m’erri n’shtratin e pacjentit e dita me zbardhi si cjapin rebel, n’fund t’shtratit!

Zgjimi ishte me mirëmengjesin e motrave. Si jeni?

Si mysafiri që kërkon leje për rrugë, iu përgjigja njenës nga to.

Struc rrisha, tue numërua tingëllimat e aparateve, mbi kokat e pacientëve. Madje ato tingëllima s’me lan me ba gjumë!

Fiki e luta nji praktikant, që bante kujdestari. Por s’ma plotësoi dëshirën. Këto masin pulsa zemrash artist. Ju jeni pacjentë me zemra të smutë! Bjer e flij.

Por si ti mbyllë sytë, kur nesër, ndonjenit prej nesh, nuk do t’i rreh ma zemra!

I strukun n’fund t’shtratit, nisa me shkrua për cjapin, artistin plak, që zilja nuk i cingëroi e shpëtoi pa e therë thika e kasapit!

Doktor Pallaska me mori ngrykë, si t’isha mixha i tij, ai artisi i madh, Shaniu i “Godosë” se Brehtit e doktor Agim Krasniqi, ai që i futi telat damarëve t’mi, i lumtun që gjithçka ishte n’rregull, i buzëqeshun tha:

– Ik n’shtëpi e shkruej libra e luej role artist, se zemrën e ke t’re, e s’i duhesh kasapit!

Unë, me bekimet tueja e me buçetën e luleve, të nusës se djalit, si cjapi, i ndoqa hijet e pemëve dhe u ktheva të stoli e librat që presin firmën time!

Leartit i thashë: Cjapi nuk shpëton dy herë, duhet të jeshë i fortë, kur të mbetësh me zilën e tij n’dorë!

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat