Gazetari britanik: Ja çka po ndikon në raportet e ftohta Kurti-Vuçiq

Aktuale

Gazetari britanik: Ja çka po ndikon në raportet e ftohta Kurti-Vuçiq

Më: 18 gusht 2022 Në ora: 23:31
Tim Judah

Takimi në nivelin e lartë politik mes Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut nuk solli ndonjë marrëveshje. Dakordimi mes palëve ishte që bisedimet të vazhdojnë në ditët në vijim.

Mirëpo publicisti britanik, Tim Judah, e sheh si pozitive edhe faktin që Kurti dhe Vuçiq më në fund u ulën në tavolinën e bisedimeve.

“Është zhgënjyese që nuk u arrit ndonjë marrëveshje sot, por është ende herët të gjykojmë. E mira është se liderët u takuan pas një viti dhe tani të shohim se çfarë do të ndodhë në ditët në vijim”, tha ai.

Judah, beson se raportet personale mes Kurtit dhe Vuçiqit po ndikojnë negativisht në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ishte një fazë kur dialogu po shkonte mirë, por tani duket se ka ngecur. Duket qartë se raportet mes Kurtit dhe Vuçiqit janë shumë të ftohta sepse kjo ka të bëjë me të kaluarën e tyre. Historia tregon se kur Vuçiq ishte ministër i informimit, Kurti ishte i burgosur politik, dhe kjo natyrisht që ndikon në dialog. Ndërsa me Thaçin dialogu kishte progres, sepse ai me Vuçiq pavarësisht dallimeve nga e kaluara e tyre e gjenin gjuhën e përbashkët në negociata”, u shpreh Judah.

Publicisti dhe gazetari i njohur Judah ka folur edhe për çështjen e asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ai thotë se askush nuk e kupton se për çfarë asociacioni po bëhet fjalë, prandaj edhe paraqet problem.

“Kosova e ka pranuar asociacionin, por problemi qëndron se ne nuk po e dimë se çfarë është ky asociacion. A është një NGO? A ka fuqi ekzekutive? Apo është një Republika Srpska? Këto dallojnë me njëra tjetrën. Akoma nuk po shoh vullnet politik nga palët që problemi të zgjidhet”, shtoi Judah.

Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borell, ka deklaruar se çështja e normalizimit të plotë të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është e vendosur lartë në agjendën e tij.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat