I zhdukur prej 3 javësh në Bjeshkë, ende asnjë gjurmë për fatin e 27-vjeçarit nga Kukësi

Aktuale

I zhdukur prej 3 javësh në Bjeshkë, ende asnjë gjurmë për fatin e 27-vjeçarit nga Kukësi

Më: 26 shtator 2022 Në ora: 11:43
Meledin Adili

Në fshatin Borje të Kukësit, banorët dhe familjarët prej gati tre javësh janë në pritje të një lajmi për gjetjen e 27-vjeçarit Meledin Adili i raportuar i zhdukur që nga mbrëmja e 4 shtatorit të këtij viti.

Ai ishte nisur për të mbledhur boronica në bjeshkët e Sharrit të komunës së Dragashit në Kosovë kur humbi gjurmët me familjarët.

“Ne si fshatarë nuk jemi ndalur, familjarët e tij nuk janë ndalur. Fshatrat e tjerë kanë ardhur në ndihmë, kërkimet kanë vazhduar. Prej 3 javësh nuk është gjetur asnjë gjurmë nga ai djalë. Ai nuk ka qenë djalë, ai ka qenë engjëll. Mos të të vijë djali te shtëpia është…mos t ëtë vijë mushkëria te shtëpia është… Unë i bëj thirrje shtetit si fshatar, i lutem që të mos ndalet kërkimi. Të bëhet përpjekje maksimale që të gjendet ai djalë, të vijë pranë familjes.”

Ndërkohë në shenjë solidarizimi dhe mbështetje kryetari i Degës së PD-së Kukës Admir Sinamati së bashku me kryesinë e degës ishin në fshatin Borje për të vizituar familjen Adili.

“Kërkimet për të humburin Meledin Adili janë duke vazhduar. Në kërkim janë përfshirë policia dhe ushtria e Kosovës, njësitet speciale të Policisë së Kosovës, policia e Kukësit, banorë të Borjes, vullnetarë nga vendbanimet e tjera malore te Dragashit.”

Meledin Adili u raportua i zhdukur më 4 shtator nga familja e tij. Meledin Adili, 26 vjeç nga fshati Borje, doli si çdo ditë për të mbledhur boronica në Bjeshkë, por prej 4 shtatorit nuk ka asnjë gjurmë të tij.

Pavarësisht kërkimeve të familjarëve dhe policisë i riu nuk është gjetur ende.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat